Varrosë të birin dhe dhëndrin, të vrarë nga shefi italian

Skënder Avdyli nga fshati Açarevë varrosi sot djalin dhe dhëndrin. Thotë se po përjetojnë humbje shumë të madhe, ndërkohë që vrasjen e quan të padrejtë. I biri dhe dhëndri iu vranë 15 ditë më parë në Itali nga ish-shefi i tyre të cilit ia kërkonin një shumë te të hollave që ua kishte borxh.

Lajme

05/10/2014 20:23

“Tradhti” e quajnë familjet Mustafa dhe Avdyli vrasjen djemve të tyre 15 ditë më parë në Itali. Një gjest cinik e tinëzar thonë e bëri ish-pronari i Nexhmedinit dhe Valdetit që sipas familjarëve ata veç kërkuan borxhin që iu kishte Gianluca Ciferri. Një borxh rreth 15 mijë euro, që siç thonë familjarët, ish-pronari iu kishte thënë se do ta kryente obligimin, për këtë gjëja se edhe i ka thirrur. Por pranë shtëpisë së tij, ai kishte qëlluar me pistoletë ku i kishte lënë të vdekur të dytë.

Në ceremoninë e varrimit të Nexhmedin Mustafës 38 vjeçar dhe Valdet Avdylit 27 vjeçar, morën pjesë një numër i madh njerëzish.

E të vrarët u përkujtuan si njerëz familjarë, punëtorë, human e edhe atdhedashës.

Shumë e rëndë është kjo humbje për babën e Valdetit, Skënder Avdylin.

Ai rrëfen për ndodhinë ku thotë se me vështirësi po e përballon këtë humbje.

 “I ka thirr me telefon iu ka thënë hajde iu dha borxhin në filan kafe, kur kanë shku në kafe iu ka thënë nuk I kam paret këtu, hajdeni te shpija, hajde ni pas meje, këta në kërr mbas tij ai në kerr përpara, kur kanë shku në derë të oborrit I ka vra…… Ku ka ma rëndë për mua, atë lule e kam pas”, thotë ai.

Përveç prindërve, Valdet Avdyli la edhe gruan shtatzënë dhe me një fëmijë tjetër të vogël. Në familjen Avdyli ai ishte djali i vetëm.

E Nexhmedin Mustafa që ishte së bashku me Valdetin, la katër fëmijë. Në varrimin e tij, miqtë dhe familjarët e përkujtuan si një njëri që në moshë shumë të re kishte marrë rrugën e kurbetit për të përmirësuar jetën e tij dhe te të afërmve.

Vëllai Mustafa thotë se ish-pronari ia ka pasur Nexhmedinit 15 mijë euro borgj për të cilat I ka thënë çdo ditë se do të ia kthejë. E në datën 15 shtator, thotë se Nexhmedini kishte pranuar telefonatë nga ish-pronari, i cili i kishte ftuar të takoheshin për ta kryer obligimin.

 “Në orën 11, 11 e 5 minuta saktësisht që kemi dëshmi përmes telefonit, e ka thirrë edhe I ka thënë që hajde merri lekët që duhet me t’i dhënë. Kanë shkuar me gjithë kunatin, me Valdetin, për shkak se edhe atij ia ka pasë një shumë jo aq të madhe por dikun 3-4 mijë euro, kanë shkuar dhe tradhtisht e kanë nxjerrë revolen dhe I ka ra të dyve. Do të thotë që në mënyrë tradhtare janë vrarë, por janë vrarë për kafshatën bukës, që kanë shkuar të drejtën e vet me kërkua, kështu që me një anë jemi edhe kokëlartë që shumë gjëra që ndodhin, jo hajnia por gjëra të pista, këta nuk janë shku por kanë shku kryesisht për me kërkua kafshatën e bukës për fëminë e vet”, thotë ai.

Mustafa këtë e quan vrasje tradhtare ku edhe thotë se është humbje shumë e madhe për familjen e tij.

Për vrasjen e Nexhmedin Mustafës dhe Valdet Avdylit kanë raportuar edhe mediat italiane. Sipas tyre, të dy punëtorët i kanë shkuar në shtëpi të armatosur me një kazmë për t’i kërkuar paratë.

Mediat gjithashtu patën shkruar se sipërmarrësi ka nxjerrë pistoletën e ka qëlluar disa herë: plumbat patën lënë të vdekur që të dy, në vendin e ngjarjes.

Familjarët e viktimave patën deklaruar se do t’i shkojnë deri në fund këtij rasti nëpërmjet drejtësisë.

E dorasi është dorëzuar në Polici menjëherë në ditën e vrasjes duke deklaruar se vrasjen e ka kryer në vetëmbrojtje. (Kosovapress)