Urdhërarrest ndërkombëtar për Veselinoviqin, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Enver Zymberit

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për Zvonko Veselinoviq, njërin nga njerëzit më të afërt të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajme

02/12/2019 13:03

Këtë e konfirmoi për lajmi.ne, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka lëshuar letër-reshtim vendor dhe ndërkombëtar për Veselinoviqin, nën dyshimet se ai ka kryer disa vepra penale, përfshirë “pjesëmarrje e organizim i grupit kriminal”.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special – duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndaj të pandehurit Z.V., ka lëshuar urdhërarrest, letër-rreshtim vendor dhe letër-rreshtim ndërkombëtar, bazuar në dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”, nga neni 283, paragrafi 3 lidhur me nenin 174 paragrafi 3, neni 365 paragrafi 4 dhe neni 179 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Veselinoviq është vënë në kërkim për ngjarjet të cilat pasuan ndërhyrjen e njësiteve speciale në korrik të 2011-s.

Njësitë speciale, në atë kohë, kishin ndërhyrë në veri ndërsa gjatë tërheqjes ishte vrarë polici Enver Zymberi, ndërsa pika kufitare e Jarinjës ishte djegur nga serbët.

Zvonko Veselinoviq, së bashku me vëllanë e tij, ishin arrestuar në vitin 2011 në Serbi, por që më pas ishin liruar.

Ai dyshohet se ka lidhje të forta edhe me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili gjithashtu është duke u kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar si i përfshirë në vrasjen e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq. /Lajmi.net/