Udhëheqësit e shtetit serb kundër emërimit të Zhiviq në postin e ministres së Bujqësisë

Pas shkarkimit të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo në postin e të parit të kësaj ministrie është emëruar përsëri një ministre nga komuniteti serb.

Lajme

26/02/2019 23:12

Emri i saj është Dijana Zhiviq nga Partia Liberale Serbe e Slobodan Petroviq, por siç duket Zhiviq nuk është e pëlqyera e udhëheqësve të Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se Haradinaj i ka zgjedhur “serbët privatë” për ministër të tij duke e cilësuar kështu si fyerje për Serbinë këtë vendim.

“Është e pamundur të durohen çdo ditë të gjitha fyerjet e mundshme, ashtu siç është kjo e fundit kur Ramush Haradinaj zgjedh serbët privatë për ministër të vet të cilët askush nuk i ka zgjedhur për të treguar se është i gjithëfuqishëm. Serbia këtë nuk do ta pranojë, do ta ruajë dinjitetin dhe popullin e vet e do të përpiqemi ta ruajmë stabilitetin e paqen me çdo çmim, por nuk do të lejojë që të nënçmohet populli ynë dhe mos o Zot, të sulmohet ai”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.

E pa reaguar për këtë nuk e la as ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin i cili u shpreh se Zhiviq nuk është ka marrë mbështetjen e popullit serb në zgjedhje andaj nuk i përfaqëson ata.

“I shërben autoriteteve të Prishtinës për të paraqitur iluzionin e multietnicitetit”, tha Vulin duke iu referuar emërimit të ministres së re të Bujqësisë.

“Kjo është një ‘lidhje klienteliste’ njëlloj sikur autoritetet e Kosovës kërkojnë nga serbët që të futen në ushtrinë e tyre. Atyre në realitet nuk u interesojnë serbët, por vetëm iluzioni i multietnicitetit”, tha Vulin.

Vulin është shprehur gjithashtu se ministri i shkarkuar, Nenad Rikalo, ishte i arsimuar, i aftë dhe respektoi vendin e tij dhe e dinte se në Kosovë nuk kishte jetë pa Serbinë.

Edhe shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Marko Gjuriq dhe asistenti i tij, Petar Petkoviq kanë reaguar pas emërimit të Dijana Zhiviq në postin e ministres së Bujqësisë.

“Kjo grua as nuk merret me politikë, ajo është dora e djathtë e një njeriu që ndihmon Slobodan Petroviqin. Ajo do të nënshkruaj atë që ata do t’i thonë. Do të shërbej vetëm si mirazh multietniciteti të ashtu-quajtur”, tha Petkoviq.

Në anën tjetër, Gjuriq është shprehur se Zhiviq nuk punon në konsultim dhe marrëveshje me institucionet e shtetit serb dhe nuk gëzon legjitimitet demokratik.

Gjuriq gjithashtu është shprehur se Zhiviq nuk përfaqëson interesat e popullit serb në Kosovë dhe nuk është e zgjedhur nga populli serb.

Ende nuk dihet arsyeja pse emërimi i saj ka ngjallur gjithë këtë reagim tek krerët serbë. /Lajmi.net/