Tregu i përbashkët ballkanik, çfarë e shtyri Edi Ramën ta gëlltisë propozimin e vet?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mënyrë euforike e kishte shpallur në Samitin e Sarajevës në mars të këtij viti, se ka propozuar idenë e një tregu të përbashkët ballkanik ku do të bënin pjesë Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi e Bosnja. Kjo ide ishte hedhur poshtë nga kryeministrat e Kosovës dhe Malit të Zi. E tani edhe nga vetë propozuesi, Shqipëria.

Lajme

14/06/2017 15:36

Komisionarit të BE-së, Johannes Hahn, i cili vetëm pak ditë më parë tha se shpreson që Isa Mustafa do ta ndryshojë mendjen për tregun e përbashkët ballkanik, që do të diskutohet në muajin korrik në Samitin e Triestes, do t’i dalë punë edhe me Edi Ramën. Kryeministri i Shqipërisë ka bërë me dije se ka hequr dorë nga kjo ide, vetëm pak muaj pasi vetë e kishte propozuar në Sarajevë.

“Sot në punimet e Samitit të Sarajevës, me kkomisionarin Hahn dhe kryeministrat e Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi e Serbisë për tregun e përbashkët rajonal; një projekt strategjik ambicioz i propozuar nga Shqipëria, që tanimë ka hyrë në rrugën e planifikimit konkret”, kishte shkruar Rama në Facebook.

Por, ideja që menjëherë ishte kundërshtuar nga Kosova dhe Mali i Zi, tani po kundërshtohet edhe nga Edi Rama.

Në një intervistë për Reuters, dje Rama ka thënë se Bashkimi Evropian nuk po e sforcon krijimin e tregut të përbashkët në Ballkan në kuadër të marrëveshjes për të cilën mund të debatohet në Trieste, muajin e ardhshëm.

“Presioni për formimin e tregut të përbashkët, në të cilin përveç Shqipërisë do të ishin edhe vendet e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor ka marrë ritëm të ri, pasi që BE-ja po përpiqet që sërish të lidhë rajonin pas krizave të shumta politike dhe diplomatike dhe shqetësimeve për shkak të ndikimit rus”, shkruan Reuters.

Madje, Rama tani po tregohet i ashpër.

Rama ka thënë se ai dhe kolegët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor këtë nuk do ta pranojnë dhe se këtë ua ka bërë me dije edhe liderëve evropianë.

“Kjo është diçka që gjithmonë qartë e kemi bërë me dije dhe kur dua të them ne, mendoj në të gjithë liderët e rajonit. Nuk do ta “gëlltisim” kurrë këtë si alternativë të integrimeve evropiane”, ka thënë Rama.