Transporti ajror: Shqipëria marrëveshje me Singaporin

Shqipëria dhe Singapori kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për shërbimin në transportin ajror, përmes së cilës synohet krijimi i kushteve të përshtatshme, të ndërsjella dhe lehtësuese për operatorët e transportit ajror të të dyja vendeve, si dhe kalimi tranzit përmes territoreve të tyre, me qëllim lëvizjen pa pengesa për shtetasit e të dyja palëve.

Lajme

08/11/2015 09:16

Marrëveshja, e nënshkruar në mars të këtij viti, pritet të shqyrtohet në Komisionet parlamentare të Kuvendit.

“Kjo marrëveshje do të ndikojë në krijimin e kushteve të përshtatshme, të ndërsjella dhe lehtësuese për operatorët e transportit ajror të të dyja vendeve, si dhe kalimin transit përmes territoreve të tyre, me qëllim lëvizjen pa pengesa për shtetasit e të dyja palëve kontraktuese”, thuhet në relacionin shoqërues të marrëveshjes.

Ky dokument vendos një kuadër rregullash dhe procedurash për funksionimin e shërbimeve, për transportin ndërkombëtar ajror të udhëtarëve, mallrave dhe postës, si dhe përcakton të drejtat e transportuesve të dy palëve në transportin ajror, raporton shekulli.

Marrëveshja, gjithashtu, siguron një zhvillim të koordinuar dhe liberalizimin progresiv të transportit ndërmjet palëve, të mbështetur në nevojat e ndërsjella tregtare dhe kushtet e hyrjes në tregun e transportin ajror. Në pajtim me të drejtat dhe detyrimet e secilës palë sipas së drejtës ndërkombëtare, nëpërmjet marrëveshjes riafirmohet detyrimi i palëve ndaj njëra-tjetrës për të mbrojtur sigurinë e aviacionit civil ndaj akteve të ndërhyrjeve të paligjshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare për këtë qëllim dhe veçanërisht në pajtim me dispozitat e sigurisë së aviacionit që janë vendosur nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil./lajmi.net