Trafikantët ballkanas të sirianëve

Mijëra emigrantë nga vatrat e luftës dhe konflikteve në Lindje të Mesme kanë vërshuar vende e Ballkanit, nga ku po shkojnë ilegalisht në Be. Ata po u paguajnë para të majme trafikantëve ballkanas.

Lajme

06/07/2015 08:56

Ahmed (30 vjeç) nga Siria hap portofolin dhe numëron paratë që i kanë mbetur pasi i kishte paguar 200 euro një trafikanti për t’i sjellë me veturë bashkë me tre familjarët e tij nga Presheva në Bujanoc.

Në një destinacion të shkurtër prej hic më shumë se 20 kilomentrash, trafikantët në Luginë të Preshevës po përfitojnë para të majme për t’i bartur emigrantët e shumtë nga Siria, Afganistani, Pakistani…, të cilët po përshkojnë rrugë të gjatë, duke i kaluar ilegalisht në këmbë kufijtë e shteteve të ndryshme të Ballkanit për të shkuar në Bashkimin Evropian.

Ai thotë se ka disa muaj që është nisur nga Siria, ku po zhvillohet luftë e ashpër mes grupit terrorist ISIS dhe forcave proqeveritare të Bashar al-Assad-it.

Fillimisht nga Siria kishin kaluar në Turqi dhe më pas në Greqi, nga ku kanë vazhduar rrugëtimin e tyre të gjatë e të mundimshëm drejt Maqedonisë, Serbisë, me synimin që të dalin në Hungari dhe më pas drejt Austrisë.

“Për të kaluar rrugën disaorëshe me barkë në det nga Turqia në Greqi u paguam mijëra dollarë trafikantëve. Nga aty derisa erdhëm në Maqedoni shpenzuam mjaft para dhe kështu po paguajmë edhe në Serbi”, shprehet Ahmed. (Zëri)