Thirrje për zgjedhje të qeta

Kreu i vëzhguesve të BE’së, Roberto Gualtiar dhe Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, bëjnë thirrje për zgjedhje të qeta, të lira e demokratike në vend.

Lajme

02/11/2013 10:52

Kryesuesi i Misionit të BE’së për vëzhgimin e zgjedhjeve, Roberto Gualtiar, dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit që kishin sot paradite në Prishtinë, bënë thirrje për zgjedhje të qeta, të lira e demokratike në vend.

Me Delegacionin e Misionit të BE’së për vëzhgimin e zgjedhjeve, Haradinaj ka diskutuar për zgjedhjet e nesërme lokale, procesin e deritashëm parazgjedhor dhe çështje të tjera të organizimit sa më të mirë dhe më të mbarë të tyre.

“Kryetari Haradinaj dhe zyrtarët e lartë të BE’së u dakorduan se në përgjithësi, në vend, për 30 ditë është zhvilluar një kampanjë e hapur parazgjedhore, në të cilën qytetarët edhe partitë dëshmuan kulturë demokratike”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të AAK’së.

“Haradinaj, Gualtiar dhe Lunacek ftuan qytetarët dhe partitë politike të vendit, kandidatët dhe të gjithë akterët e zgjedhjeve të nesërme, që 3 nëntori të shënojë një hap tjetër të madh demokratik në Kosovë, që të zhvillohet një proces rregullt zgjedhor, i cili do të jetë shembull edhe për vendet tjera të rajonit”.

“Zgjedhjet e qeta, të lira dhe demokratike, do të jenë një impakt tjetër i rëndësishëm për vendin tonë, në rrugën drejt ndërtimit të demokracisë së vërtetë në Republikën e Kosovës dhe hapave të tjerë të rëndësishem të shtetit tonë drejt Europës”.