Terroristët bastisin zyrat e qeverisë afgane, 15 të vdekur

Autoritetet afgane njoftuan se sulmi terrorist mbi një ndërtesë qeveritare në lindje të Afganistanit, ka vrarë të paktën 15 persona.

Bota

31/07/2018 19:31

Zyrtarët thanë se sulmuesit kishin në shënjestër departamentin për çështjet e refugjatëve në Jalalabad, kryeqyteti i provincës Nangarhar në kufi me Pakistanin.

Zëdhënësi i qeverisë, Attahullah Khogyani, i tha VOA-s se sulmi filloi me një vetëvrasje me bombë në hyrje të ndërtesës, duke ju mundësuar terroristëve të tjerë të sulmonin ndërtesën ku po zhvillohej një takim i nivelit të lartë. Për më shumë se një orë u dëgjuan të shtënat me armë.

Talebanët kanë mohuar përfshirjen e saj në sulm, gjë që ka forcuar dyshimet se Shteti Islamik mund të jetë pas sulmit.

Organizata terroriste ISIS, ka marrë përgjegjësi për shumicën e sulmeve të kryera në Nangarhar gjatë muajit të shkuar, duke përfshirë edhe rastin e prerjes së kokës të tre rojeve të shkollës si dhe një tjetër shpërthimi vetëvrasës që la të vdekur 19 persona.