Të vërtetat e pathëna të dy krizave: të Tiranës dhe Shkupit, të zgjidhura “rastësisht” brenda një dite…

Duket se nuk është fare rastësi që dy kriza të rëndësishme, më shumë se politike, u mbyllën brenda një dite, edhe pse nuk nisën krejt njëkohësisht. Kriza shqiptare dhe ajo maqedonase, si me një çelës që duket se u komandua nga një pult përtej oqeanit, në Uashington, rastisi edhe me një eveniment mjaft të rëndësishëm:…

Lajme

18/05/2017 16:56

Duket se nuk është fare rastësi që dy kriza të rëndësishme, më shumë se politike, u mbyllën brenda një dite, edhe pse nuk nisën krejt njëkohësisht.

Kriza shqiptare dhe ajo maqedonase, si me një çelës që duket se u komandua nga një pult përtej oqeanit, në Uashington, rastisi edhe me një eveniment mjaft të rëndësishëm: vizitën në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit të Turqisë, Rexhep Taiip Erdogan, të cilit, sicc përflitet nën zë nga qarqe politike rajonale dhe vendase, i është besuar nga Presidenti  Donald Trump menaxhimi dhe ruajtja e stabilitetit në Ballkan, një tezë që është arikuluar shumë këto ditë edhe nga aktorë politikë dhe mediatikë në Tiranë.

Padyshim që të dyja patën “prekjen” diplomatike të zyrtarit më të rëndësishëm në Uashington për Ballkanit: Hoyt Brian Yee, pasardhësi i Richard Holbrooke në ndërtesën ku gatuhen planet globale të fuqisë më të madhe të botës.

Në mënyrë të koordinuar, Hoyt Yee udhëtoi në Shkup dhe Tiranë në një diferencë kohe prej 7 ditësh: ai urdhëroi Gjeorgje Ivanovin që të japë mandatin për  Zoran Zaevin-kryeministër dhe më pas erdhi në Tiranë ku bindi Lulzim Bashën që të tërhiqet nga e ashtuquajtura “Republikë e Re” dhe kërkesa bazë e saj, qeveria teknike së bashku me shtyrjen e zgjedhjeve në një periudhë gjashtëmujore.

Por ç’kishin të përbashkëta kriza maqedonase dhe ajo shqiptare dhe ku dallonin ato nga njëra tjetra?

Kanë qenë aktorë të rëndësishëm politikë dhe nga qarqe të rëndësishme në Tiranë që kanë përmendur skenarin maqedonas, pikërisht kur u ngrit çadra e opozitës më 18 shkurt pranë Kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit.

Ata përmendën pikërisht precedentin që ndodhi pas bombave të Zaevit që çoi më pas në të ashtuquajturën “Marrëveshje të Përzhinosë”, nga e cila lindi një qeveri teknike dhe zgjedhjet të parakohshme më 11 dhjetor 2016.

Dhe diferenca më e madhe e dy krizave ishte se ndërsa ajo maqedonase u ngrit në një periudhë paszgjedhore dhe në kulmin e mandatit të qeverisjes së Nikolla Gruevskit me BDI-në e Ali Ahmetit, ajo e Tiranës shpërtheu çuditshëm vetëm katër muaj përpara zgjedhjeve normale dhe të rregullta për Parlamentin e ri.

Por në mënyrë të papritur, si të komanduara nga një dorë, që natyrisht u fol se ishte diku në Lindje, përkatësisht në Kremlin, si Tirana, ashtu edhe Shkupi, por edhe Podgorica që ishte gati të shpërthente kundër anëtarësimit në NATO, u agravua një situatë rajonale me prirje apokaptike dhe që  paralajmëronte një skenar më të rëndë se “Lagja e Trimave”  e vitit 2015.

Nuk kish si të ishte rastësi se çadra në Tiranë, si një bllokim total i sistemit politik në vend u ngrit në kulmin e një debati të madh kur faktori shqiptar në Maqedoni si asnjëherë më parë po fliste me një zë dhe doli kundër vazhdimit të regjimit të Nikolla Gruevskit.

Pikërisht në atë kohë, qarqe jo vetëm në opozitë por edhe në mazhorancë të lidhura me LSI-në, bënë një ofensivë të paparë ndonjëherë duke thirrur për një marrëveshje të re mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit e sulmuar egërsisht ambasadorët amerikanë në Shkup e Tiranë me të ashtuquajturën tezë të “komplotit sorosian” që ka paguar Zoran Zaevin që të vijë në pushtet.

Si asnjëherë tjetër Moska doli me disa deklarata radhazi kundër përfshirjes së fuqishme të faktorit politik shqiptar në skenarin qeverisës maqedonas.

Rusia e donte faktorin politik shqiptar si garniturë dhe jo si pjesë themelore. Dhe e përbashkëta më e madhe e dy krizave ishte se shpërthyen njëkohësisht, por që kishin të veçantë skenarin, strategjinë dhe taktikën.

Të dyja kishin të përbashkëta përveç dorës ruse, edhe rezistencën ndaj rithemelimit të një sistemi drejtësie që do të ndëshkonte politianët e korruptuar.

Si kurrë ndonjëherë më pare, ambasada ruse në Tiranë u kthye në faktor primar politik: përveçse u realizua një takim me kreun e opozitës, Lulzim Bashën në selinë blu në kulmin e krizës, ambasadori rus shpalli alarmin se është në rrezik nga “ekstremistët shqiptarë që duan të trazojnë Ballkanin”.

Pra Moska hyri fuqishëm dhe si aktor në lojë.

Pikërisht në këtë cast, si asnjëherë më parë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës hyn në lojë menjëherë, energjikisht dhe me pesha të rënda.

Numri një i Komisionit Europian, Jean Clode Juncker deklaroi: “trazirat në Ballkan rrezikojnë Europën”, ndaj Angela Merkel ndërhyu energjikisht. Në Shkup shkuan me radhë, që nga Presidenti i BE-së Donald Tusk, por edhe shefja e diplomacisë Mogherini, komisioneri Hahn por edhe i dërguari Carl Bild që bëri të ditur se BE është përgatitur për planin rezervë pa Ivanovin edhe Gruevskin.

Edhe në Tiranë mbërritën të gjithë, që nga Mogherini por edhe disa emisarë të Angela Merkelit, që sollën mesazhet se BE është përgatitur që të ndjekë skenarin që nuk e parashikonte PD-në e Lulzim Bashës si aktor.

E në fund u fut në lojë Uashingtoni që solli në Shkup e Tiranë dy fashikuj “përvëlues” që thuhet ishte “oferta që nuk mund të refuzohet”.

Dhe në mënyrë të koordinuar zgjidhja erdhi brenda një dite: në Shkup, Zoran Zaev u bë Kryeministër dhe në Tiranë çadra u mbyll duke futur PD-në në zgjedhje.

Duhet parë natyrisht vijimi i kohës nëse do të zbatohen apo jo këto dy marrëveshje që SHBA dhe BE arritën të instalojë në dy kryeqytetet ballkanike që kanë të përbashkët natyrisht çështjen shqiptare por edhe lëvizjen e Moskës si faktor i rëndësishëm në rajon.

Por natyrisht duhet vënë re se pikërisht në këtë linjë ka ndikuar edhe takimi Trump-Erdogan, ku dy ditë më parë ishin përqëndruar reflektorët politikë në Shqipëri dhe Maqedoni.

Dhe në kulmin e kësaj situate erdhi intervista e njeriut që zgjidhi gjithçka: e Z/ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA Hoyt Brian Yee, se “komplotet alla Soros janë përralla dhe Uashingtoni nuk do të lejojë të sulmohen ambasadorët amerikanë në Shkup e Tiranë”, duke e bërë nul dhe lobimin e paguar nga e njëjta llogari e përbashkët për të shkarkuar Donald Lu dhe Jess Baily.

Dhe si për ta mbyllur, “pikat mbi ‘i’” i vendos portal propagandistik rus Sputnik: “Kush e mandatoi Zaevin, Ivanov apo amerikanët? Kështu pyet retorikisht Moska, që siç duket e di mirë përgjigjen… /tesheshi.com/