Të bërit biznes me shtetin

Ardian Gjini thotë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është shkelje e sovranitetit. Sipas tij, serbët mund të shkojnë në Serbi dhe të votojnë. Gjini thotë se kjo Qeveri po bën “biznes” me shtetin.

Lajme

10/03/2014 19:35

Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se të dëgjosh dikë të thotë se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë nuk është shkelje, është gjë absurde.

Ai thotë se serbët mund të votojnë në zyra ndërlidhëse apo dhe të shkojnë në Serbi, por nëse hapen vendvotime në Kosovë kjo, sipas tij, do të ishte shkelje sovraniteti.

“Do të ishte absurde të dëgjosh dikë duke thënë se hapja e vendvotimeve për zgjedhjet për parlamentin e Serbisë në Kosovë nuk është shkelje e sovranitetit”.

“Mendoj se është shkelje e sovranitetit, e drejta e dyshtetësisë nuk nënkupton hapjen e qendrave të vendvotimit për zgjedhjet serbe”.

“Seriozisht është absurd të thuhet se nuk po bëhet shkelja e sovranitetit”.

“Nëse Serbia hap Ambasadë ose Zyre Ndërlidhëse dhe nëse ata dëshirojnë që të votojnë në këtë Zyrë Ndërlidhëse mund ta bëjnë. Mund të shkojnë të votojnë edhe në Serbi, bile edhe pa pasaporta”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, thotë se AAK’ja e ka shprehur shqetësimin se saj se me ndryshimet kushtetuese për FAK’un do të shkojnë në paketë edhe disa ndryshime të tjera, në mesin e tyre edhe vendet e rezervuara.

Ai e quan të pandershëm këtë nga ana e Qeverisë, madje e cilëson si “të bërit biznes me shtetin”.

“Ka një kohë që shumë njerëz të Aleancës dhe unë po e potencojmë këtë çështje. Është paketim i pandershëm i Qeverisë edhe pjesët e tjera që janë të paketuara në këtë mënyrë, pra një paketë e ndryshimeve kushtetuese me Tribunal, me vendet e rezervuara dhe me FAK, janë mënyrë e pandershme e të bërit biznes me shtetin”.