Tatimpaguesit dinë pak për ATK-në

Administrata Tatimore dhe organizata gjermane GIZ paraqitën gjetjet e një anketimi për ATK-në.

Lajme

30/06/2016 13:20

Anketa kishte për qëllim të zbulonte perceptimin e tatimpaguesve në lidhje me Administratën Tatimore të Kosovës në vitin 2015.

Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se niveli i vetëdijes dhe informatave mbi mandatin e ATK-së dhe të drejtave të detyrimeve të tatimpaguesve është i ulët.

Nga anketa doli se motivi për t’i paguar obligimet tatimore ATK-së lidhet me përmbushjen e detyrës qytetare, ndërsa hezitimi për të kryer këto obligime ka të bëjë me frikën nga keqpërdorimet e fondeve publike.

Anketa u zhvillua me 1,252 të anketuar individualë dhe nga bizneset.

Anketa kishte për qëllim identifikimin e të metave të ATK-së dhe vlerësimin e punës së saj.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, në konferencën ku u prezantuan të gjeturat e anketës, deklaroi se Administrata Tatimore dëshiron të krijojë besim te tatimpaguesit.

“Besojmë se mënyra më efektive për të përfituar dhe mbajtur përmbushjen vullnetare është përmes ndërtimit të raporteve të besimit dhe respektit të ndërsjellë në mes ATK-së dhe tatimpaguesve të Kosovës. Kjo është arsyeja se pse strategjia jonë përmban një theks në përmirësimin e shërbimeve tona për publikun”, tha Imeri, raporton kallxo.com.

Ndërsa Agim Krasniqi, zëvendësministri i financave, tha se ekonomia e vendit po vuan nga një hendek i madh tatimor.

“Ekonomia e Kosovës vuan nga një hendek i madh tatimor, i cili është kryesisht pasojë e ekonomisë informale, si dhe shmangies tatimore nga disa biznese dhe individë që veprojnë në mospërputhje me rregullat”, tha Krasniqi.

Administrata Tatimore për pesë muajt e parë të vitit 2016 mblodhi 14.2 milionë apo 10 për qind më shumë të hyra se në periudhën e njëjtë të 2015-ës.