Tatimi në pronë, AAK kundër propozimit për 100 euro: Është mashtrim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar që të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022. Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare, AAK ka thënë se propozimi për faljen e tatimit në pronë për 100 euro përveç që është…

Lajme

29/01/2023 13:21

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar që të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.

Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare, AAK ka thënë se propozimi për faljen e tatimit në pronë për 100 euro përveç që është mashtrim, është edhe anti-ligjore.

“Kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Reagimi i plotë: 

Të ndalen mashtrimet, qeveria ta shfuqizojë vendimin për rritje të tatimit në pronë!

Vendimi i Ministrisë së Financave për rritjen e tatimit në pronë, ka goditur direkt xhepin e qytetarëve, në këtë kohë kur çmimet për secilin produkt janë dyfishuar.

Në mungesë të veprimeve serioze në shërbim të rritjes së mirëqenies socio-ekonomike, qeveria paska vendosur që përmes kuvendeve komunale të vazhdojë me mashtrim, me propozimin për faljen e tatimit në pronë për 100 euro. Kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë.

Kjo qasje mashtruese duhet të ndalet! Të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022!./Lajmi.net/