Surdulli dyshon te Thaçi, ndërhyri që të lirojë Sinanin

Shaip Surdulli thotë se dyshon se ka pasur ndërhyrje të kryeministrit Hashim Thaçi në rastin e Begzad Sinanit, pasi ai qe shpallur i pafajshëm për keqpërdorim të 180 mijë eurove vetëm pak kohë para balotazhit të zgjedhjeve lokale të 2013. E për thirrjen e vet në Gjykatë, Surdulli thotë se aktakuzën e ka pasur që dy javë, porse thirrjen e ka marrë me vonesë.

Lajme

07/05/2014 09:54

Ish-Kryetari I Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli thotë se ftesa për tu paraqitur dje në Gjykatën Speciale i ka ardhur në orën 11e 45 ndërsa vet seanca kishte nisur në ora 11. Ai thotë se aktakuzën e ka marrë rreth dy javë më parë por nuk ka pasur thirrje për në Gjykatë.

Në një intervistë dhënë për “Tribuna”, Surdulli thotë se aktakuza ka të bëjë me një udhëtim të bashkëshortes së tij, ai vet dhe një zyrtari në Gjermani për çështjen e kontejnerëve dhe mbeturinave.

“Për sot (e martë) nuk kam pasur ftesë. Në orën 11e 45 minuta më ka ardhur thirrja me marrë pjesë në seancë. Kurse në thirrje ishte se në orën 11 fillon seanca. Edhe postieri i kishte ardhur letra sot. Tash kam kuptuar se një seancë qenka më 6 qeshor”.

“Në lidhje me këtë rast aktakuzën e kam marrë para dy javesh dhe e kam ditur se bëhet fjalë për për kars, por thirrje nuk kam marrë. Në vitin 2011 me ftesë të një organizate gjermane, kemi qenë të ftuar të bëjmë një vizitë nga një delegacion nga komuna e Kamenicës. Ftesa ka të bëjë me çështjen e kontenjerëve dhe mbeturinave diçka. Në atë përbërje të delegacionit kemi qenë unë, gruaja, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Enver Mavriqi dhe drejtori i Shërbimeve Publike”.

Surdulli thotë se nuk e di se kush ka qenë denoncuesi i këtij rasti, por ai thotë se kryetari aktual i Kamenicës, Begzad Sinani, gjatë kohës kur Surdulli ishte në krye të Komunës, e ka denoncuar atë për çdo projekt që ai ka bërë.

Ai tha se ka mbetur i habitur kur Begzad Sinani i akuzuar nga Prokuroria Speciale se kishte keqpërdorur 180 mijë euro është shpallur i pafajshëm vetëm pak para balotazhit. Për këtë gjë, Surdulli dyshon se ka gisht vet kreu i Qeverisë, Hashim Thaçi.

“Unë kam pasur dhe nuk jam fshehur sepse e kam bërë hapur. Atij i është ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale për 180 mijë euro, mirëpo jam befasuar kur Gjykata e EULEX-it me vendorët pak para balotazhit të zgjedhjeve lokale 2013, e kanë shpallur të pafajshëm. Unë dyshoj shumë se këtu kemi pasur ndërhyrje direkte të kryeministrit Thaçi për të shpëtuar nga dënimi që ai të fitojë zgjedhjet”, ka thënë Surdulli për “Tribuna”.