Spitalet ankohen për shumë pacientë e pak mjekë

Spitalet e përgjithshme, QKUK e Qendrat e Mjekësisë Familjare po vazhdojnë të ofrojnë shërbime shëndetësore në mungesë të punëtorëve shëndetësorë. Drejtorë të Shëndetësisë thonë se nga Ministria e Shëndetësisë nuk u kanë bërë zgjidhje sa i përket shtimit të stafit, ndërsa nga kjo e fundit thonë se më shumë ka shpërndarje joadekuate se sa mungesë të stafit.

Lajme

29/07/2021 13:56

Institucionet Publike Shëndetësore thonë se po përballen me mungesë të stafit. Sipas tyre, ka reparte në spitalet rajonale që po mbahen me nga një mjek kujdestar.

E kërkesat për staf shtesë thuhet se nuk po përfillen, për shkak se Ministria e Shëndetësisë nuk po punëson ata që janë të papunë, në mënyrë që të mbulohen nevojat e institucioneve shëndetësore.

Në mungesë të punëtorëve shëndetësorë, ngritet edhe shqetësimi se sa janë cilësore shërbimet që po u ofrohen pacientëve.

Nga zyra për informim në Spitalin e Pejës kanë thënë për Express se kanë jashtëzakonisht nevojë për punëtorë shtesë shëndetësorë.

Në mungesë të tyre, nga ky spital kanë thënë se reparti i Pediatrisë në kujdestari funksionin me vetëm një mjek specialist.

Nga Spitali i Pejës kanë treguar po ashtu se 30 pozita i kanë të paplotësuara për shkak të pensionimit të punëtorëve shëndetësorë, ndërsa kanë thënë se kanë nevojë për mjekë specialistë të pediatrisë, ortopedisë, infektivës e radiologjisë.

“Jashtëzakonisht shumë kemi nevojë për punëtorë shtesë sepse momentalisht kemi shumë pak personel për numrin e madh të shërbimeve që kryhen. Së pari kemi nevojë për të plotësuar 30 pozita që i kemi të lira pas pensionimit, e që nuk po lejojnë që të plotësohen, e pastaj kemi nevojë për mjekë specialistë të pediatrisë, ortopedisë, infektivës dhe radiologjisë si dhe numër shtesë të infermierëve dhe personelit teknikë. Në Pediatri mbanë kujdestari 1 mjek specialist”, është thënë nga ky spital.

Përndryshe, zëdhënës në spitalin e Pejës kanë deklaruar se në vazhdimësi kanë bërë kërkesa për punësimin e personelit shtesë por që nuk u është lejuar plotësimi i vendeve të lira.

Mungesë të punëtorëve shëndetësorë kanë edhe spitalet tjera rajonale e Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka thënë për Express se Qendrat e Mjekësisë Familjare në këtë komunë kanë nevojë edhe për 26 mjekë.

Ajo ka thënë se me marrjen e specializimeve kanë 26 mjekë mangut, andaj edhe sipas saj është krijuar një vakum shumë i madh institucional.

“Edhe te ne ka mungesë të punëtorëve shëndetësorë. Ky është problem në të gjitha komunat jo vetëm te ne. Me marrjen e specializimeve kanë shkuar 26 mjekë dhe është krijuar një vakum shumë i madh institucional. Është hapur konkursi dhe janë pranuar 9 mjekë. Është hapur prapë konkursi por nuk ka mjekë që presin për të hyrë në punë. Ne kemi nevojë edhe për 17 mjekë”, është shprehur ajo.

Tutje ajo ka thënë se me fillimin e një vale të re të COVID-19 nuk e dinë se si do të gjinden komunat për shkak të mungesës së stafit shëndetësorë.

Ndërsa, ajo ka theksuar se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’u dërgohen disa mjekë për një kohë të caktuar, por që nuk kanë marrë përgjigje nga ajo.

Edhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, ka thënë se kanë nevojë për staf shtesë shëndetësorë.

Ajo ka deklaruar se edhe mjekët që punojnë në këtë qendër po duhet t’i angazhojnë në qendrat e vaksinimit, andaj edhe kanë kërkuar punësimin e stafit shtesë.

“Për staf ne kemi bërë kërkesë, kemi kërkuar 8 mjekë dhe na kanë siguruar. Prej tyre 2 janë gra shtatzëna dhe kanë marrë disa ditë pushim mjekësor, njëri nuk është lajmëruar fare. Ne u kemi treguar se nuk kemi mjaftueshëm mjekë, por na kanë thënë se jemi të obliguar ne me mjekët tanë t’i plotësojmë ekipet për vaksinim. Ministria e Shëndetësisë i ka angazhuar disa specializantë, megjithatë edhe mjekët e rregullt po duhet t’i angazhojmë për të shtuar numrin e ekipeve, në këtë drejtim po kemi numër të pamjaftueshëm të mjekëve”, ka theksuar ajo.

Mungesa e stafit shëndetësorë po ndihet gjatë kësaj kohe edhe në Komunën e Gjilanit.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Selami Xhemaili, ka thënë se kjo mungesë po ndodh për shkak të pushimeve vjetore që po i shfrytëzojnë punëtorët shëndetësorë.

“Kjo është për shkak të sezonës së pushimit që një pjesë e punëtorëve janë duke e shfrytëzuar dhe këto janë kriza momentale. Ne po punojmë me kapacitet të plotë edhe në qendrën e vaksinimit edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësorë. Aktualisht ne kemi kontratë edhe me Caritas’in dhe kemi mbi 30 punëtorë shëndetësorë të angazhuar”, ka shtuar ai.

Ndërsa, staf shtesë ka kërkuar edhe Spitali i Prizrenit.

Shefajet Berisha, zyrtar për informim në Spitalin e Prizrenit ka thënë se i kanë bërë kërkesat për staf shtesë dhe se ato i kanë dërguar në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës.

Mirëpo, nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës nuk kanë dhënë informacione për gazetën në lidhje me kërkesat që janë bërë për shtim të stafit shëndetësorë, e as nëse është planifikuar që gjatë këtij viti të hapet ndonjë konkurs për punësimin e stafit shtesë.

MSH thotë se ka më shumë shpërndarje jo-adekuate se sa mungesë të stafit, OAK e FSSHK e kritikojnë

Përkundër kërkesave të institucioneve publike shëndetësore për staf shtesë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se më shumë ka një shpërndarje jo-adekuate të personelit shëndetësorë se sa mungesë reale në numër.

Zyrtarë për informim në MSh kanë thënë se do të hapin konkurse për punësimin e punëtorëve shëndetësorë por në përputhje me nevojat reale dhe bazuar në planet për zhvillim të shërbimeve.

“Sipas një studimi të fizibilitetit, të kryer nga një institucion kredibil ndërkombëtar, në kujdesin tretësor dhe dytësor shëndetësor, më shumë ka shpërndarje jo-adekuate të personelit shëndetësor, se sa mungesa reale në numër. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që klinika apo reparte të ndryshme nuk kanë nevojë për përforcime me resurse humane. MSh do të mundësojë të bëhen rekrutime vetëm duke u bazuar në nevoja reale dhe jo kritere të paqëndrueshme të cilat ndikojnë pastaj që ndonjë shërbim të mbingarkohet, ndërsa tjetra ta ndiej mungesën e personelit”, është thënë nga kjo ministri.

Mirëpo, nënkryetari i Odës së Mjekëve, Naser Gjonbalaj, ka thënë për gazetën se i gjithë sistemi shëndetësorë ka nevojë për plotësime, derisa është shprehur se është fatkeqësi se ka shumë mjekë të papunë, ndërsa institucionet kanë mungesë të tyre.

Sipas tij, në rastet kur ka mungesë të punëtorëve shëndetësorë, nuk e dinë se sa mund të ketë cilësi të shërbimeve që ofrohen, përkundër që sipas tij, stafi përpiqet që t’i ofroj ato me të gjitha kapacitetet që i ka.

“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim edhe në tryezën e fundit qe e kemi pasur. E kemi ngritur në vazhdimësi këtë problem. Fatkeqësia është që ka punëtorë shëndetësorë të pa punë kurse nevoja është shumë e madhe për ta. I gjithë sistemi shëndetësorë ka nevojë për plotësime. Shërbimet po ofrohen, por problemi është se stafi që i operon ato shërbime është i stërngarkuar. A është cilësore kjo pastaj në një lodhje kronike nuk e di, por megjithatë shërbimet përpiqemi që t’i japim me ato kapacitete që i kemi”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, Gjonbalaj është shprehur se besojnë që për shkak të mungesës së vullnetit nuk po punësohet staf shtesë shëndetësorë.

Ai ka thënë se nuk ka as komunikim mes Ministrisë së Shëndetësisë e asaj të Financave që të bëhet një zgjidhje për ta.

Ndërsa, edhe kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla ka deklaruar se e kanë ngritur disa herë çështjen e mungesës së stafit shëndetësorë, megjithatë ai është shprehur se nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dashur që të kontaktojnë me ta.

“Në po i tregojmë që kemi punëtorë mangët. Ne kemi pasur ankesa nga spitalet regjionale. Kemi raste kur në spitalin e Pejës pediatria udhëhiqet nga një motër. Kanë kërkuar zëvendësime sepse disa kanë dal në pension, por askush nuk përgjigjet për këtë çështje. Ne kemi kërkuar që të rritet numri i punëtorëve sepse po harrojnë që është vera, janë virozat tjera e spitalet janë të mbushura, por nuk don të bisedoj askush për këtë”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që vit pas viti institucionet publike shëndetësorë në vend ballafaqohen me mungesë të punëtorëve shëndetësorë, ndonëse vlerësohet se një numër i madh i punëtorëve shëndetësorë janë të pa punë.