Skandali i mishit brazilian, BE “zbret” në origjinë

Skandali i mishit të kalbur ka çuar në Brazil Komisionerin Europian të Shëndetësisë dhe Sigurisë Ushqimore,  Vytenis Andriukaitis.

Bota

28/03/2017 11:53

Zyrtari i lartë europian përcolli shqetësimin e bllokut si dhe ofertën e tij për ta ndihmuar kombin amerikano-jugor të rikthejë besimin e thyer tashmë të konsumatorëve dhe partnerëve tregtarë.

Në Brazil, u shpreh ai, duhet të vihen në zbatim sisteme efikase të garantimit të sigurisë ushqimore. Andriukaitis ndaloi në disa impiante të përpunimit të mishit në Rio de Janeiro. Vizita e tij ishte planifikuar që përpara hetimit të policisë braziliane, që nxorri në dritë korruptimin e inspektorëve të shëndetësisë, pasojë e të cilit ishte eksportimi i produkteve me probleme.

“Duhet ta kuptojmë përse kemi kontrolle zyrtare në BE ose në Brazil. I kemi sepse njerëzit duhet të marrin ushqim të shëndetshëm, sepse kontrollorët duhet të jenë aktivë dhe me veprimet e tyre të garantojnë besimin e publikut, i cili është i një rëndësie kyçe për ne, sepse nëse tek njerëzit krijohet ndjesia se diçka nuk shkon me këtë sistem, kjo i prek të gjithë, pavarësisht rajonit se ku ndodh. Në BE kemi një mekanizëm verifikimi tejet efikas dhe reagimi ndaj problemit është i menjëhershëm. Do ta ndihmojmë Brazilin të bëjë të njëjtën gjë”, tha Vytenis Andriukaitis, Komisioner i Shëndetësisë dhe Uashqimit në BE.

Eksportet e mishit brazilian ranë me 19 përqind javën e kaluar, ndërsa Komisioni Europian i ndaloi të gjitha ngarkesat e nisura drejt vendeve të bllokut nga kompanitë e vëna nën hetim. Shembullin e tij e ndoqi dhe Kina.

Mediat ndërkombëtare e raportuan aferën disa ditë më parë dhe sqaruan se disa kompani braziliane kishin vite që shisnin mish të pasigurt. Hetimi policor, i zgjatur dy vjet angazhoi rreth 1.000 efektivë, shënjestroi 194 fabrika e çoi në pranga 30 persona.