Shpronësimi e pamundëson asfaltimin e rrugës “Malush Kosova”

Për shkak të problemeve me shpronësim të pronave, rreth një kilometër rrugë në lagjen Mati 1, ka mbetur e pa asfaltuar në Komunën e Prishtinës. Banorët thonë se rruga e pa asfaltuar po u shkakton probleme.

Lajme

05/07/2014 15:28

Rreth një kilometër rrugë në lagjen Mati 1, ka mbetur e pa asfaltuar në Komunën e Prishtinës.

Edhe pse projekti për ndërtimin e rrugës “Malush Kosova” ishte nisur vitin e kaluar nga qeverisja komunale e udhëhequr nga e LDK-ja, kontrata me kompaninë që ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës është ndërprerë dhe banorët e kësaj lagje po përballen me pluhurin dhe lloçin.

Banorët e kësaj pjese thotë se gjendja e rrugës po u sjellë probleme, kurse në Komunën e Prishtinës, nuk dhënë ndonjë datë se kur mund të rregullohet ky problem, raporton KosovaPress.

“Qeveria e përparshme na premtuan po duket çfarë rruge, edhe Vetëvendosja që është ardhur dolën na premtuan po s’ka kurgjo hiq. Kështu është katastrofë sidomos për fëmijë kur kanë me shkuar në shkollë po duket. Dritaret nuk mundesh këtu me i hap prej pluhurit. Me na shtruar këtë rrugë tjetër kërkesë nuk kemi”, ka thënë Adem  Buzuku, banorë në lagjen “Malush Kosova”.

Edhe Osman Beiqi, banor në këtë lagje shpreh shqetësimin e tij duke thënë se as në verë e as në dimër nuk është e përshtatshme kalimi në këtë rrugë.

“Unë e kam shqetësimin shumë të madh se këtu as dimrit as verës nuk mundemi me kaluar në këtë rrugë. Kemi probleme fëmija nuk kanë qysh me shkuar në shkollë, po e shihni edhe vet qysh është bërë rruga. Qeveria ose njerëzit komunal të më hershëm kanë premtuar që kanë me shtruar këtë rrugë. Kishim shpreh dëshirën këtu si lagje për me mujt me ndreq rrugën para se t’ia fillojnë fëmijët shkollën. Kemi problem edhe me kanalizim se krejt ujërat e zeza kalojnë ka fëmija. Jam babë i 5 fëmijëve dhe po tutna mos po infektohen fëmijët se shpesh edhe po sëmuren”, ka shtuar Beiqi.

E drejtori i Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, ka thënë për KosovaPress, se komuna projektin për lagjen “Malush Kosova”, do ta përfundonte këtë vit, mirëpo sipas tij, ka probleme pronësore në një pjesë të rrugës dhe kjo po u shkakton probleme të mëdha sepse çmimet të cilat caktohen për prona, nga Ministria e Financave, sipas tij janë shumë të mëdha dhe Komuna për këtë vit nuk ka buxhet të mjaftueshëm për shpronësim.

Durmishi, ka shtuar se për 700 metra rrugë janë zgjedhur problemet pronësore, ndërsa për pjesën tjetër të rrugës ende jo.

“Unë kam biseduar me banorët dhe pjesën e parë të rrugës nëse do të ketë rishikim të buxhetit së shpejti do të mundohemi ta bëjmë sivjet, ndërsa pjesën e dytë të rrugës në qoftë se në ndërkohë nuk zgjidhen problemet pronësore sepse është edhe një mundësi në qoftë se pronarët heqin dorë nga prona e tyre atëherë si procedurë është më e shpejtë dhe mund ta përfundojmë komplet projektin, mirëpo në qoftë se jo atë herë pjesën e parë ta përfundojmë këtë vit ndërsa pjesën e dytë të rrugës ta përfundojmë vitin e ardhshëm”, ka sqaruar Durmishi.

(KosovaPress)