Shoqata e malazezëve të Kosovës: Lista Srpska luftënxitëse, po luan me jetët e serbëve

Malazezët e Kosovës kanë reaguar ndaj politikës luftënxitëse të zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviqit, i cili thotë se nuk e njeh atë qeveri, por pranon dhe shfrytëzon të gjitha benificionet materiale të po asaj qeverie, - thuhet në reagimin e Shoqatës dhe të Unionit të Malazezëve të Kosovës.

Lajme

16/01/2017 15:40

Përbuzja, agresioni dhe retorika luftënxitëse ka dehur plotësisht zyrtarët më të lartë të Listës Srpska në Kosovë. Qasjen e tillë e konsiderojmë dukuri shumë të rrezikshme, e cila nuk guxon të projektohet nga ata që përfaqësojnë serbët e Kosovës, meqë në këtë mënyrë luan me jetën e njerëzve të cilët i udhëheqin.

Agresioni verbal shpesh çon nga veprime shumë më të rrezikshme, nga dhuna fizike në radhë të parë. Jemi dëshmitarë se Branimir Stojanoviq tash e një kohë të gjatë me veprimet e veta po punon haptas kundër interesave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të cilën mban pozitën e zëvendëskryeministrit.

Po ashtu Stojanoviq me retorikën e tij të zjarrtë po përpiqet të provokojë dhunë dhe konflikte në Kosovë, të cilën do ta vështronte nga shtëpia e tij e ngrohtë në Beograd, ashtu siç i ka shikuar gjatë luftës së kaluar kur kishte ikur nga Graçanica. Prandaj, dëshirojmë të besojmë se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë veprimtarinë e mëtejshme luftënxitëse të elementeve që i drejton Branimir Stojanoviq.

Në fund, bëjmë apel dhe lusim të gjithë qytetarët e Kosovës që të jenë të qetë dhe me dinjitet, që të mos bien në kurthin e propagandës së ndytë por të ngrihen mbi provokues dhe ata njerëz të “vegjël” e me teka që askujt nuk ia duan të mirën, e aq më pak popullit të vet.

Jemi të bindur se institucionet e Kosovës me ndihmën e të bashkësisë ndërkombëtare do t’ia dalin të ruajnë qetësinë dhe stabilitetin për të gjithë qytetarët tanë dhe se do të pengojnë çfarëdo forme të përshkallëzimit të konfliktit, – përfundon kumtesa e Shoqatës dhe Unionit të Malazezëve të Kosovës, të nënshkruar nga kryetari Sllobodan M. Vujiçiq.