Seancë 15 minutëshe ndaj Hysni Hoxhës

Seanca e gjykimit ndaj Hysni Hoxhës, ish-drejtuesit të Organit Shqyrtues të Prokurimit zgjati vetëm 15 minuta.

Lajme

28/01/2016 10:02

Në fillim të seancës Hoxha kërkoi nga gjyqtari Beqir Kalludra që ai të mos lejojë publikimin e fytyrës së ish-kreut të OShP-së. Gjykata e miratoi këtë kërkesë të Hoxhës.

Pastaj Sahit Bibaj, avokati i Hoxhës kërkoi që gjykata ta hedhë poshtë aktakuzën ndaj Hoxhës. Me këtë edhe përfundoi seanca, ndërsa gjykata do të vendosë për këtë kërkesë të avokatit.

Hoxha akuzohet për keqpërdorim detyre dhe autoriteti zyrtar derisa drejtonte Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky organ ka për detyrë të shqyrtojë ankesat e palëve të interesuara në lidhje me shkeljet e Ligjit të Prokurimit Publik.

Aktakuza ndaj Hoxhës u ngrit më 4 dhjetor 2014, ndërsa atë ditë drejtori i atëhershëm i OShp_së i tha KALLXO.com se me aktakuzë po duan ta eliminojnë operatorët ekonomikë, pa saktësuar se cilët janë ata operatorë.