Rruga e qumështit është e mbushur me civilizime të vdekura

Shumica e civilizimeve aliene që kanë ekzistuar në galaktikën tonë Rruga e Qumështit, janë tashmë të zhdukura, sipas një studimi të ri të publikuar nga arkivat arXiv.

Fun

22/12/2020 21:50

Duke përdorur astronominë moderne dhe modelime statistikore, studimi pretendon se harton zonat e lindjes dhe vdekjes së jetëve aliene. “Që prej kohës së Carl Sagan ka pasur shumë studime,” thotë bashkë-autori Jonathan H. Jiang, astrofizikant i NASA.

“Veçanërisht me futjen në funksion të teleskopëve hapësinorë Hubble e Kepler, ne kemi pasur më shumë informacion për densitetin e gazeve dhe të yjeve në galaktikën tonë Rruga e Qumështit, mbi probabilitetin e formimit të yjeve apo të shpërthimeve ‘supernova’. Ne tashmë dimë shumë shifra dhe faktorë që influencojnë krijimin e jetës inteligjente, siç është prezenca e yjeve të ngjashme me diellin, apo krijimi i planetëve të ngjashme me tokën”, shton ai.

Modelimi i evolucionit të Rrugës së Qumështit sipas këtyre faktorëve, tregon se vendndodhja më e mundshme e civilizimeve në galaktikën tonë eshte rreth 13,000 vite dritë larg qendrës së saj, dhe si faktor kohë, 8 miliardë vjet pas formimit të galaktikës.

Toka për shembull është 25,000 vite dritë larg qendrës së galaktikës, dhe civilizimi njerëzor lindi 13.5 miliardë vjet pas formimit të Rrugës së Qumështit (relativisht shpejt pas formimit të galaktikes.)

Në fjalë të tjera, ne jemi një civilizim ‘kufitar’ sa i përket gjeografisë së galaktikës, dhe të ardhur së fundmi në ambjentin ‘e banuar’ të Rrugës së Qumështit.

Por nëse supozojmë se jeta lind relativisht shpesh dhe rrjedhimisht bëhet inteligjente, atëherë duhet të besojmë se kështu ndodh edhe me yje të tjerë në ‘fashën gjeografike’ të 13,000-viteve dritë larg qendrës, pasi aty ka shumë yje të ngjashëm me diellin.

Shumica e civilizimeve që ekzistojnë sot në galaktikë janë të rinj, kjo prej tendencës së jetës inteligjente për të zhdukur veten e saj gjatë periudhave të zgjatura. Studiuesit thonë se edhe nëse galaktika arriti kulmin e ‘civilizimit’ rreth 5 miliardë vjet më parë, shumica e civilizimeve, me shumë gjasa e kishin eliminuar veten e tyre.

Në pjesën e fundit e studimit pyetet se ‘sa shpesh e eliminojnë veten e tyre civilizimet.’ Studiuesit thonë se kjo varet sa të përhapura janë ato, por megjithë shanset e ulëta të zhdukjes së një civilizimi prej faktoreve si një holokaust bërthamor apo ndryshimeve klimatike, ata thonë se civilizimet në planetet e Rrugës së Qumështit me shumë gjasa janë zhdukur ./ZMEScience/