Qasje e re për matjen e ekonomisë

Zhvillimet në teknologji e nxisin nevojën për matës të ri të rritjes ekonomike, të cilat marrin parasysh llojet e reja të ndërmarrësisë.

Opinion

24/03/2014 21:21

BELLEVUE, WASHINGTON – “Nëse nuk mund ta matësh, atëherë nuk mund ta menaxhosh”, kjo është mençuria mbrapa matësve, siç është edhe bruto prodhimi vendor (BPV) dhe indikatorë tjerë – agregat të cilët tregojnë për shëndetin e ekonomive nëpër botë. Politikbërësit dhe planifikuesit kanë përdorë këta matës për shumë dekada për t’i ndihmuar ata për kuptimin e rrugës drejt zhvillimit ekonomik vendor.

Por, varja vetëm në BPV dhe indikatorë të tjerë tradicional mund të sabotojë një qëllim të shumëkërkuar: zhvillimin e ekonomive inovative. Sot, disa nga pjesët vitale të sektorit të teknologjisë informative gati se fare nuk regjistrohen në llogaritë kombëtare. Përderisa BPV matë vlerën e tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara brenda një shteti, shumë yje të epokës digjitale (mendoni për Wikipedia, Facebook, Twitter, Mozilla, Netscape, dhe të tjera) nuk prodhojnë mallra dhe ofrojnë shërbimeve falas.

Këto yje të njëjtë po ashtu mundohen të dëmtojnë produktivitetin e bizneseve tradicionale. Aplikacionet falas për navigim kanë zvogëluar të hyrat e Garmin, kompanisë pionere për teknologjinë GPS, e cila më parë ka qenë firma me rritjen më të shpejtë në SHBA. Skype është duke e shkatërruar thirrjet ndërkombëtare të operatorëve tradicional, “minut pas minuti.”

Këto zhvillime e nxisin nevojën për matës të ri të rritjes ekonomike të cilat i marrin parasysh llojet e reja të ndërmarrësisë. Dhe, për shkak se këta matës kanë të bëjnë me inovacion, ato duhet të kenë një qasje që shikon kah e ardhmja. Politikbërësit duhet të kuptojnë mënyrën se si të themelojnë, menaxhojnë, dhe më këtë masin kushtet të cilat inkurajojnë që inovacioni të mblidhet në një rajon dhe të krijojë aty një të ardhme prosperuese. Matja e inovacionit duhet të regjistrojë edhe vlerën e ideve të reja me vite para se ato të bëhen profitabile, në mënyrën tradicionale të matjes.

Nevoja për matje të tilla është posaçërisht e nevojshme për vendet në zhvillim. Ekonomitë në zhvillim zakonisht e përdorin investimet e jashtme direkte (FDI) si indikatorë të progresit. Një matje e tillë ka kuptim në fazat e para të zhvillimit: ekonomive të varfra ju nevojitet kapital i huaj për të ndërtuar fabrika, trajnuar punëtorë, dhe për të vendosur para në xhepat e qytetarëve të zakonshëm.

Por, investimet e jashtme zakonisht shkojnë në projekte me rrezik dhe margjina të vogla: shkritoret e hekurit, fabrikat e çimentos, dhe të tjera. Inovacioni, si kontrast, është një ndërmarrje me rrezik dhe përfitime të larta. Edhe kompanitë e mëdha multinacionale në fillim nuk investojnë shumë para në ide të reja. Kështu që, invacionet e së nesërmes mund të mos kenë asnjë efekt në FDI apo BPV.

Për këtë, për vendet si Kina, India dhe Brazili, të cilat janë duke u munduar të nxisin kulturën e tyre inovative, targetet e investimeve të jashtme direkte në të vërtetë parandalojnë planifikuesit qeveritarë për të bashkëpunuar me personat dhe kompanitë të cilat janë në gjendje të kenë qasje kreative në zgjidhjen e problemeve.

Si do të dukej inovacioni me vlerë, sa i përket të dhënave makroekonomike, disa vite para se të lejojë ngritjen e firmave të ardhshme, si Google, Bayer, Porsche, apo Alibaba? Cilët numra më së miri karakterizojnë një ekosistem të inovacionit në rritje që nga faza fillestare?

Ne tashmë dimë disa përbërës esencial. Ato përfshijnë talentin e nivelit më të mirë, ndërmarrës të vazhdueshëm me sukses të dëshmuar, biznese fillestare të mbështetura me kapital, dhe produktet inovative të cilat janë të mbrojtura nga të drejtat e mbrojtjes së pronësisë intelektuale. Analistët në kompaninë time së fundmi hulumtuan nëse këto përbërës mund të kualifikohen. Rezultatet tona preliminare tregojnë se po, ato mund të kualifikohen për matje.

Për shembull, ne kemi mësuar që pesë nga kompanitë fillestare më të suksesshme në sektorin e teknologjisë informative, deri në fund të vitit të tretë pas themelimit, kanë dy atribute të përbashkëta: ata kanë aplikuar për më shumë se një patentë dhe janë të themeluara nga së paku një firmë e famshme investuese. Në vitet në vijim, të hyrat komulative të këtyre pesë kompanive ishin gjashtë herë më të larta se të gjitha firmave tjera fillestare të zgjedhura në mënyrë të rastësishme.

Ekonomistët mund të zgjerojnë këto analiza për të zhvilluar një seri të indikatorëve kyç të performancës për ekonomitë e reja inovative. Qeveritë atëherë mund të përdorin këto matje të inovacionit për të identifikuar bizneset fillestare, talentin, dhe produktet me potencial për sukses në të ardhmen. Kjo qasje mund të aplikohet për çfarëdo projekti për inkubatorë të high-tech – brenda apo përtej botës në zhvillim – e cila deri më tani e matë suksesin vetëm me dollarë.

Natyrisht, këta matës do të përmirësonin gjasat e suksesit, por nuk do të sigurojnë suksesin plotësisht. Ekonomitë inovative do të nevojitën gjithmonë të kenë investime në lloje të ndryshme të projekteve për të prodhuar disa fitues të mëdhenj të cilët do të zhvillohen dhe piqen në ekosistem. Por, edhe një përmirësim modest në mundësinë e suksesit do të sillte rezultate të mëdha nëse kjo do të rezultojë në krijimin e Apple-ave apo Samsung-ave, sesa një, apo asnjë.

Nuk do të jetë e lehtë të ndryshohet mënyra se si mendojmë për vlerën në ekonomi. Megjithatë, vendet ku BPV ka qenë në rënie mund të mirëpresin matjet e reja të cilat do tregonin shenja të progresit real. Dhe, ka një vetëdijesim në rritje në mes të politikbërës dhe planifikues që asetet virtuale, si talenti kreativ dhe shkathtësitë e ndërmarrësve, përbëjnë një pjesë të madhe dhe në rritje të pasurisë shtetërore.

Byroja e SHBA-ve për Analiza Ekonomike ka pranuar verën e kaluar, kur ka ndryshuar definicionin e BPV-së për të përfaqësuar më mirë kontributin e pronësisë intelektuale, hulumtimeve, zhvillimit të produktivitetit, dhe vitalitetit ekonomik. Përpjekjet më të gjëra për të reformuar BPV-në, dukë përfshi nismat e sponzoruara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, dhe Komisioni Europian, mëtojnë të përfshijnë qëndrueshmërinë, standardin e jetesës, dhe aspekte tjera të mirëqenies së një vendi. Grupe si Instituti për Mendim të Ri Ekonomik janë duke zhvilluar studimin e ekonomisë inovative për të ofruar të dhëna dhe analiza për këto përpjekje.

Ashtu siç e ka cekur ish-Kryesuesi i Rezervës Federale të SHBA-ve fjalimin e tij të vitit 2011, “ne do mund të promovojmë veprimtarinë e inovacionit nëse jemi në gjendje të masim atë në mënyrë më efektive dhe nëse mund të dokumentojmë rolin e tij në rritjen e ekonomisë”.

Në të vërtetë, matësit të cilët ndihmojnë shtetet për të nxitur invovacionin mund të ndryshojmë kuptimin tonë për rritjen ekonomike. Qeveritë i dëshirojnë ato, ekonomitë kanë nevojë për ato, dhe komuniteti ndërkombëtarë do përfitojë nga ato. Është koha për makroekonominë që të matë ambiciet e inovatorëve të shekullit XXI.

Edward Jung, ish Kryesues i Arkitekturës Softwerike në Microsoft, është Shef i Teknologjisë në “Intellectual Ventures.”

Të drejtat autoriale: Project Syndicate, 2014, www.project-syndicate.org

lajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.