Punëtorët e KEDS-it bëhen gati të hyjnë në grevë

Rritja e pagave të punëtorëve të KEK-ut gjatë fushatës zgjedhore kishte shtyrë punëtorët e KEDS-it të kërkojnë rritje të pagave, por deri tash pa rezultat. 

Lajme

06/08/2014 21:37

Meqë kërkesa e tyre për rritje të pagave nuk u përmbush, punëtorët e KEDS-it do të hyjnë në grevë, ka thënë kryetari i Federatës së Pavarur Sindikale Elektrokosova, Fehmi Pajaziti, raporton KTV.

Pas diskutimeve të gjata mes dy palëve, u konkludua se KEDS-i nuk mund të zotohet që të rritë pagat e punëtorëve për shkak të obligimeve shtesë në blerjen e energjisë, si barrë e re për KEDS-in.

Sipas Pajazitit, KEDS-i ka qenë i njoftuar për të gjitha rreziqet e mundshme që mund të paraqiten në këtë plan dhe çështja e ngritjes së pagave nuk lidhet me kushtet e furnizimit të tregut me energji elektrike.

Kryesia e FSPE-së ka vendosur që punëtorët e KEDS-it, nën organizimin e FSPE-së, të hyjnë në grevë. Pajaziti ka thënë se greva do të organizohet me një plan veprimi konform Ligjit mbi grevat. Kryesia e FSPE-së ka zgjedhur këshillin grevist. Ky këshill menjëherë do të vazhdojë përgatitjet e duhura për organizimin e grevës sipas ligjit.