​Punësimi dhe diskriminimi në arsim, sfida te komunitetet RAE

Komunitetet rom, ashkali e egjiptian po vazhdojnë të jenë të diskriminuar në arsimim, derisa sfidë mbetet edhe papunësia që arrin mbi 40 për qind te këto komunitete. Kështu u tha gjatë një konference për media të organizatës “Roma Versitas Kosova”, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Genc Broqi prezantoi projektin “Fuqizimi i…

Lajme

08/04/2023 16:37

Komunitetet rom, ashkali e egjiptian po vazhdojnë të jenë të diskriminuar në arsimim, derisa sfidë mbetet edhe papunësia që arrin mbi 40 për qind te këto komunitete.

Kështu u tha gjatë një konference për media të organizatës “Roma Versitas Kosova”, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Genc Broqi prezantoi projektin “Fuqizimi i nxënësve përmes monitorimit”, i cili tha se ka për synim përkrahjen e nxënëseve që iu përkasin grupeve të komuniteteve, për të vazhduar më tej procesin arsimor.

Njëri ndër koordinatorët e këtij projekti, Fatlum Kryeziu, tha se çështja e punësimit, mbetet sfidë për grupet rom, ashkali, egjiptian, pasi mbi 40% e këtyre grupeve janë të papunësuar.

“Tema e punësimit, për grupet rom, ashkalinj, egjiptian është një ndër temat më sfiduese, ku komuniteti rom ballafaqohet me suaza ditore. Sot meqenëse është dhe 8 prilli ne gëzojmë vëmendje më shumë dhe mënyra e shprehjes gjatë konferencës besoj që do ndikojë në avancimin e të drejtave të pjesëtarëve rom, ashkalinj, egjiptian. Punësimi është një sfidë e jashtëzakonshme në Kosovë. Mbi 40% e pjesëtarëve të komuniteteve RAE dhe të tjerëve janë të papunësuar gjithashtu papunësia lokale lë shumë për të dëshiruar për këta pjesëtarë të këtyre grupeve dhe ata mbesin anash gjithmonë sa i përket çështjes së punësimit. Ne me iniciativat që kemi pasur si “Roma Versitas Kosova”, ne jemi munduar që drejtpërdrejtë në zbutjen e papunësisë, ku përmes donatorëve dhe Institucioneve jemi munduar ta zvogëlojmë numrin e papunësisë së këtyre grupeve në Kosovë….Gjendja në arsim ka filluar të përmirësohet… Ne kemi arritur të kemi një numër të konsiderueshëm të studentëve të cilët kanë diplomuar dhe çdo ditë e më shumë dëshirojmë të ndikojmë në punësimin e tyre”, tha ai.

Shendriza Prokshi, njëra ndër kordinatoret, tha se këto grupe ballafaqohen edhe me diskriminim në arsim. Ndërkaq sa i përket projektit, ajo shton se do të përfshihen pesë komuna.

“Komuniteti rom si një grup i margjinalizuar është duke pasur dhe duke u ballafaquar me akses të limituar në edukim, punësim dhe në fusha kyçe për çdo shoqëri. Diskriminimi në edukim është një realitet për komunitetin rom, ndërkaq Qeveria e Kosovës ngërthen mekanizma jo adekuat për implementimin e këtyre mekanizmave në fushën e edukimit dhe punësimit, por si të tilla nuk gjejnë zbatim, prandaj ky projekt iu kushtohet komunitetit rom, ashkalinj, egjiptian në pesë komunat si: Peja, Prizreni, Gjakova, Obiliqi dhe Graçanica”, theksoi ajo.

Në kuadër të komuniteteve dhe krizës së tyre për arsim, është realizuar edhe një projekt. Genc Broqi, menaxher i projektit “Fuqizimi i nxënësve përmes monitorimit”, tha se ka për qëllim përkrahjen e nxënësve që u përkasin komuniteteve, në mënyrë që të kenë vetëbesim dhe mos ta braktisin procesin arsimor.

“Projekti fuqizimi i nxënësve të shkollave të mesme përmes monitorimit është një projekt i cili nxënësit e shkollave të mesme i përkrahë në mënyrë që atyre të iu ngritin vetëbesimin dhe të ndikojë në ndalimin e braktisjes së procesit arsimor. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës… Këtë vit akademik i kemi si target grup diku 300 studentë të shkollave të mesme, të cilët do të jenë përfitues të këtij projekti”, tha ai.

E në fund, Pranvera Begolli nga organizata “Roma Versitas Kosova”, gjatë kësaj konference për media, bëri të ditur se do të organizohet një festival, ku do të ketë filma që pasqyrojnë jetën dhe vështirësitë e këtyre grupeve.

“Në këtë festival që do të mbahet në mes të qershorit do të ketë filma të ndryshëm që do të përfaqësojnë komunitetin rom, njëkohësisht gjatë këtij viti do të ketë dhe një dokumentar që do të tregojë storie suksesi të komunitetit rom dhe sfidat që komuniteti kalon. Këta filma janë përzgjedhur nga vende të ndryshme evropiane që do të shfaqen në vitet në vazhdim”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale. Kjo ditë synon gjithashtu të rris ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komuniteti rom në mbarë botën.

Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990, në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë, i mbajtur në prill të vitit 1971.