Punësimet e dyshimta në Bibliotekën Kombëtare (Dokument)

Përzgjedhja e katër kandidatëve për të qenë pjesë e stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dyshohet të jetë bërë jo mbi bazën e kritereve profesionale, por mbi bazën e afërsisë së kandidatëve me zyrtarë të lartë politikë.

Lajme

13/09/2017 12:01

Kështu pretendon, Lumturije Nuredini njëra nga kandidatet që ka aplikuar në konkurs, që i është nënshtruar testeve dhe në fund është diskualifikuar.

Nuredini ka shpjeguar për AktivPress se gjatë periudhës kur i është nënshtruar procedurave të testimit në konkurs ka parë trajtim jo të barabartë të kandidatëve nga komisioni përzgjedhës i Bibliotekës.

“Pas procesit të përzgjedhjes së kandidatëve nga ana e Bibliotekës Kombëtare, jam futur në testin me shkrim, të cilin e kam kaluar me sukses. Pas kësaj, administrata e Bibliotekës më ka ftuar për intervistë më datën 21.08.2017 në orën 09:10. Mirëpo, ditën e mbajtjes së testimit me shkrim, njëra prej kandidateve (emër i njohur për gazetën) gjatë gjithë kohës së testimit ka komunikuar me anëtarët e komisionit, madje edhe pozicioni ku ishte e ulur ajo, nuk ishte ashtu si e kandidatëve të tjerë. Ajo dukej si  anëtare e komisionit, dhe jo njëra prej konkurrenteve, ndërkaq e njëjta është ftuar për intervistë dhe tani figuron në listën e të pranuarve”, ka thënë Nuredini.

Edhe sa u përket kandidatëve të tjerë të pranuar, ajo konsideron se komisioni nuk ka bërë përzgjedhjen meritore, pasi sipas saj, tre nga katër kandidatët e pranuar kanë lidhje të afërta familjare me njerëz të politikës, që veprimtarinë e tyre e kanë të lidhur  me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Njëra kandidate e propozuar nga komisioni është motra e këshilltarit politik të ish- ministrit të Kulturës, z. Kujtim Shala. Kandidati tjetër është nipi i këshilltarit politik të ish- ministrit Arban Abrashi. Kurse, kandidatja tjetër për rreth një vit ka qenë e angazhuar në Bibliotekën Kombëtare, në marrëdhënie pune me kontratë për shërbime të veçanta, por që ndërkohë ajo i ishte ndërprerë”, ka shtuar Nuredini.

Sekretari i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Izet Avdyli nuk ka pranuar të flas për këtë çështje.

Me të marr vesh se për çka është fjala, ai ka sugjeruar që sqarimet të merren nga asistentja e Fazli Gajrakut, drejtorit të Bibliotekës.

AktivPress në fakt ka insistuar të marr qëndrim nga vet drejtori, mirëpo, komunikimi me të ka qenë i pamundur.

E vetmja që ka folur ka qenë pikërisht asistentja e tij, Rudina Tahiraj.

Ajo ka konfirmuar për AktivPress se lidhur me këtë konkurs  kanë pranuar një ankesë, por nuk ka pranuar të jap përgjigje nëse është në dijeni se personat që janë pranuar në punë janë të afërt të zyrtarëve politikë.

“Unë në fakt e kam parë një ankesë që ka ardhë dhe që është drejtuar prej një prej kandidatëve. E di që kjo ankesë ka shkuar deri te sekretari dhe besoj që ai tashmë merret ligjërisht me ankesën dhe e proceson siç duhet. Ankesa ka ardhë këtu dhe si çdo ankesë tjetër do të drejtohet në vendet e duhura dhe do të trajtohet”, ka thënë ndër të tjerash Tahiraj.

AktivPres ka insistuar të marr një përgjigje edhe nga Tefik Mehmeti, zëvëndësdrejtori i BKK-së, i cili njëherësh ka qenë kryetar i Komisionit Përzgjedhës, por as ai nuk ka shprehur gatishmëri për t’iu përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Ndërkohë, kandidatja e cila nuk u pranua në punë, kërkon nga Komisioni për Ankesa në BKK që ta shqyrtojë dosjen, testin e saj si dhe gjithë ecurinë e këtij konkursi, pasi konsideron se janë bërë shkelje serioze në aspektin e përzgjedhjes së kandidatëve përkatës.

“Konsideroj se veprimi i  komisionit intervistues  të BKK-së përbën  shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ( neni 21, pika 3); Neni 24 ( pikat 1,2,3). Po ashtu  përbën shkelje të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës- Nr. 03/L-149, Neni 5, pika 1.2, Neni 11, pika 1,  si dhe shkelje të Ligjit të Punës – Nr.03/L-212 ,Neni.5 (pikat 1,2,3,4,5) ,  neni 8 (pikat 1 dhe 2) si dhe  të nenit 14 ( pika 1)”, deklaron Nuredini.

Institucionet publike në vazhdimësi janë kritikuar nga shoqëria civile për  punësime të njerëzve mbi bazën e afërsive familjare dhe partiake./AktivPress