Procedurat e Prokurimit e lënë Policinë pa riparim të automjeteve

Policia e Kosovës vazhdon të ketë vonesa të stërzgjatura në riparimin e automjeteve dhe një numër i tyre janë në pritje për riparim që nga viti 2016. Numri i automjeteve, të cilat presin për riparim janë: 16 automjete nga viti 2016, 35 automjete nga viti 2017 dhe 45 të vitit 2018.

Lajme

21/05/2019 15:21

Në Policinë e Kosovës thonë se nga viti 2009 për shkak të procedurave të komplikuara të Prokurimit dhe mungesave buxhetore nuk kanë pasur mundësi të blejnë automjete të reja.

Sipas tyre, rreth 80 për qind të automjeteve që shfrytëzohen kanë kaluar afatin 7 vjeçar të shfrytëzimit.

“Policia e Kosovës shfrytëzon automjetet pa ndërprerë 24/7 në realizimin e detyrave policore.  Shumica dërmuese e automjeteve qe i ka në posedim janë më të vjetra se 7 vite dhe si rezultat i punës së pandërprerë janë te amortizuara dhe kanë numër të madh të kilometrave të kaluar. Në anën tjetër nga viti 2009 për shkak të procedurave të komplikuara të Prokurimit dhe mungesave buxhetore Policia e Kosovës nuk ka pasur mundësi të blej automjete të reja. Duke filluar nga viti 2015 Policia e Kosovës ka blerë rreth 150 automjete të reja të cilat as për së afërmi nuk kanë mundur ta zbusin gjendjen e krijuar. Rreth 80% e automjeteve që Policia e Kosovës i shfrytëzon kanë kaluar afatin 7 vjeçar të shfrytëzimit dhe kilometrat e kaluara (mbi 250,000 km). Vjetërsia e automjeteve dhe amortizimi si rezultat i punës së pandërprerë të automjeteve ka sjellë një situatë që këto automjete kërkojnë riparime të shpeshta”, thuhet në përgjigjen e policisë për lajmi.net.

Që nga mesi i vitit 2015 Policia e Kosovës nuk ka pas kontratë për pjesë rezervë për automjete dhe kjo është shkaktuar për shkak të pamundësisë së përfundimit me sukses të procedurave të Prokurimit pa fajin e policisë.

“Herën e parë Kompania fituese pa arsye është tërhequr nga tenderi në fazën e nënshkrimit të kontratës duke aluduar në pamundësinë e liferimit të pjesëve origjinale siç është kërkuar në dosje të tenderit përkundër faktit se gjatë gjithë procedurës ka deklaruar se do t’i sjellë. Në këtë rast Polica e Kosovës ka bërë kërkesë për konfiskim të sigurimit të tenderit. Herën e dytë në fazën përfundimtare të vlerësimit Kompania fituese është tërhequr nga tenderi duke refuzuar të japë llojin e pjesëve ekuivalente që ka ofertuar se do t’i liferoje. Lidhjen e Kontratës për pjesë rezervë për automjete kemi arritur ta realizojmë në vitin 2017. Për arsye të mosrespektimit të kushteve të kontratës nga Operatori Ekonomik gjatë implementimit, edhe kjo kontratë është dashtë të ndërprehet. Mungesa e pjesëve e bën të pamundur riparimin e automjeteve”.

Flota Operative e Policisë se Kosovës, edhe në mungesë të pjesëve, duke bërë riparime dhe modifikime të pjesëve të vjetra vazhdimisht e ka zvogëluar numrin e automjeteve në pritje.

“Policia e Kosovës i jep një rëndësi të veçantë Flotës operative dhe edhe përkundër vështirësive, ndër të cilat edhe u shtjelluan më lartë, bën një menaxhim të mirë të situatës duke e mbajt mobilitetin. Menaxhimi i mirë i Flotës Operative vërtetohet edhe nga raporti i IPK (Raport i Inspektimit mbi menaxhimin e Flotës së Automjeteve dhe pajisjeve policore, Nr. 1/2017) i cili është publik. Në këtë raport ndër të tjera ceket e gjetura mbi uljen e shpenzimeve të mirëmbajtjes së automjeteve mbi 70 % përkundër vështirësive dhe vjetërsisë së automjeteve, si dhe rritja e dukshme e numrit të automjeteve aktive/operative”, thuhet tutje në përgjigje.

Policia thekson se në Flotën Operative të Automjeteve për mirëmbajtjen e automjeteve kujdeset një staf profesional i përbërë nga profile te ndryshme siç janë: mekanik, autoelektricist, autolimar, gomister, te cilët ne baza ditore kryejnë mirëmbajtjen mesatarisht të 36 automjeteve policore.

Sipas tyre, përveç mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve në servisin e Flotës operative kryhet edhe gjeometri e akseve dhe kontrolla teknike e automjeteve.

Vlen të theksohet se Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shumë shkelje gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 te Ministria e Punëve të Brendshme. /Lajmi.net/