Polemika mbi raportin Kurti-Rama? Bido: Ne kemi një çështje të përbashkët kombëtare

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave në Shqipëri, Ardit Bido, mendon se fituesi më i madh i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë është Aleksandër Vuçiç. Ai tha se në zgjedhje u vu re një fenomen i ri, ku Lista Serbe jo vetëm që hipotekojë dhjetë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, por arriti të ndikojë edhe tek minoritetet e tjera.

Lajme

16/02/2021 17:29

“Për efekt të kushtetutës së Kosovës dhe mënyrë së si është ndërtuar si shtet, prezenca e vendeve të garantuara për pakicat ka mundësi të bllokojnë në formë të caktuar në disa momente jetën pulitke të Kosovës. Në këto zgjedhje pamë një fenomen të ri, Lista serbe, e cila ka mbështetjen e Serbisë, për herë të parë ia ka dalë të zaptojë të dhjetë vendet, që ishin të garantuara për pakicat serbe, por ka ndikuar në zgjedhjet e përfaqësuesve boshnjakë dhe romë në parlamentin e ri, praktikisht duke bërë atë, që duhet ta bënin shqiptarët. Shqiptarët sot luajnë me lojën me shumë zero”, tha ai.

Ai thotë se këtë ndikim tek minoriteti boshnjak dhe rom duhet ta bënte politika shqiptare në Kosovë, dhe jo Serbia.

“Nuk merren me politikat e mirëfillta kombëtare, të cilat në rastin e Kosovës është e domosdoshme integrimi i pakicave, të cilat përdoren më mënyra të vazhdueshme nga Serbia në betejën e saj mbi Kosovës”, tha Bido.

Pas zgjedhjeve në Kosovë dhe fitores së Vetëvendosjes janë ngritur edhe polemika lidhur me bashkëpunimin dhe marrëdhëniet Rama- Kurti. Për këtë debat, z. Bido thotë se dy shtetet, Shqipëria dhe Kosova në politikën e tyre kombëtare duhet të jetë e unifikuar, ndaj shton se nuk shikon ndonjë ndryshim për keq në raportin Rama-Kurti.

“Kur vjen puna për Shqipërinë dhe Kosovën unë nuk shoh dy realitete në çështjen kombëtare. Ne kemi një çështje të përbashkët kombëtare. Kush thotë se çështja e Kosovë i përket shqiptarëve të Kosovë, për mua nuk di se çfarë flet.  Në këtë drejtim, personifikimi në individë të ndryshëm të politikës tonë kombëtare është dëmtuese. Unë nuk dua ta shoh se politika i përket personave të veçantë. Nuk besoj se do ketë ndonjë ndryshim në këtë drejtim, pavarësisht debateve dhe opsioneve që hidhen në momente të ndryshme. Kur është puna tek vendimmarrja, politika në Shqipëri dhe Kosovë duhet të jetë në unison”, theksoi Bido.

Analistja politike në Kosovë, Luljeta Aliu ndryshe nga z. Bido, mendon se fituesit e vërtetë të zgjedhjeve janë qytetarët e vendit.

“Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë këtë herë mendoj se janë qytetarët. Sigurisht se ka pasur edhe më herët tentativa që të ndikohet në zgjedhjet në Kosovë dhe në jetën e serbëve që jetojnë në Kosov.  Investimet nga ana e Serbisë kanë qenë të mëdha gjithmonë”, tha ajo.