“Peshqit e mëdhenj” nuk e deklarojnë burimin e parave

Më gjithë ekzistimin e mekanizmave ligjorë për raportimin e çdo transaksioni bankar në shumë mbi 10 mijë euro, qoftë nga individë apo subjekte të ndryshme në bankat komerciale, në Kosovë ka qytetarë milionerë pa ditur burimin e prejardhjes se mjeteve të tyre financiare, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Lajme

24/06/2014 00:27

Ata kërkojnë nga autoritetet kompetente që të verifikohet prejardhja e mjeteve në xhirollogaritë bankare në vlera të mëdha.

Profesori Musa Limani, për Radion Evropa e Lirë, thotë se duhet të kontrollohen transaksionet bankare dhe institucionet financiare duhet të kërkojnë burimin e mjeteve.

“Këta pse nuk e paraqesin është pa koment, për arsye se te ne nuk ka përgjegjësi dhe \’peshqit e mëdhenj\’ nuk i nënshtrohen këtyre procedurave. Përndryshe me ligj asnjë transaksion nuk mund të realizohet pa e ditur burimin. Për këtë arsye ne kemi milionerë të cilët nuk e paraqesin burimin e të ardhurave”, thotë Limani.

Në anën tjetër, Petrit Balija, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, thotë se është obligim ligjor që bankat komerciale të kërkojë burimin e transaksioneve.

Ndërkaq, sipas ligjeve ndalohet publikimi i të dhënave të këtyre klientëve.

“Në fakt është Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave që ndalon publikimin e të dhënave të tij, por janë institucionet relevante shtetërore ku raportohen këto informata”, thotë Balija.

Sipas ligjit, çdo lëvizje e mjeteve në shumë mbi 10 mijë euro, që klientë të ndryshëm deponojnë në banka dhe institucione mikrofinanciare, janë të obliguar të plotësojnë një formular për burimin e prejardhjes së fondeve dhe përcaktimin e pronësisë se përfituesit.

Këto procedura janë të parapara më Ligjin për Parandalimin e Shpëlarjes se Parave dhe Financimit të Terrorizimit.

Madje, bankat dhe institucionet mikrofinanciare në vend duhet të raportojnë tek Njësia për Inteligjencë Financiare të gjitha transaksionet individuale apo të një subjekti në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë brenda një dite.

Po ashtu, institucionet financiare duhet të raportojnë edhe për të gjitha aktet ose transaksionet e dyshimta brenda 24 orëve, nga koha kur akti apo transaksioni është identifikuar si i dyshimtë.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, nga zyra për Komunikim me Publik i  Ministrisë së Financave, thuhet se të dy format e transaksioneve analizohen dhe në bazë të dyshimit hapet rasti nga ana e Njësisë se Inteligjencës Financiare dhe dorëzohet në Prokurorinë Speciale ose në institucionet e zbatimit të ligjit.

Njësia e Inteligjencës Financiare funksionon në kuadër të Ministrisë se Financave dhe ka për qëllim të luftohet në mënyrë efektive shpëlarja e parave dhe financimi i terrorizmit në Kosovë.

Por, pavarësisht kësaj njësie, Musa Limani thotë se Kosova është shndërruar në terren të përshtatshëm për shpëlarjen e parave.

“Shpëlarja e parave qëndron këtu, sepse njerëzit të cilët kanë para të deponuara dhe ndërtojnë ndonjë objekt dhe askush nuk i kërkon prejardhjen e parasë. E keqja qëndron këtu, nga ato para, ku i merr, ku është burimi i kapitalit, nuk është vlerë e vogël – aty janë në pyetje miliona. Dhe në Kosovë milionat nga merren, sigurisht që përmes pagës është e pamundur\”, thotë Limani.

Në një raport të vitit të kaluar të Njësisë për Inteligjencë Financiare thuhet se ka pasur raste kur kreditë bankare janë përdorur për justifikimin e prejardhjes së parave.

Ky institucion, thuhet në raport, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për hetime të ndryshme penale duke ofruar raporte të inteligjencës për transaksione të dyshimta, përcjelljen e parasë së gatshme dhe në të njëjtën kohe duke siguruar informacione për rrezikun që ka vendi nga veprat penale të shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit.