Përvjetori, “Eksodi 1999”

Eksodi i vitit 1999 ishte shpërngulja me dhunë nga shtëpitë e tyre e mbi një milion shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës së luftës.

Lajme

16/04/2015 10:57

Forcat policore dhe ushtarake serbe, të ndihmuar edhe nga paramilitarët vranë mijëra dhe torturuan dhe plaçkitën qindra mijëra shqiptarë, derisa imponuan shpërnguljen e dhunshme, sidomos gjatë periudhës 27 mars 1999 deri më 12 qershor 1999.

Shumë prej civilëve shqiptarë nxjerrshin nga radhët për pushkatim, ndërsa qindra mijëra u deportuan në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë, disa prej të cilëve prej aty fituan statusin e refugjatit nëpër vendet perëndimore.

Gjatë luftës në Kosovë, sidomos në vitin 1999, forcat ushtarake dhe policore serbe vranë mbi 12 mijë civilë, prej tyre shumica gra, fëmijë dhe pleq, ndërsa rreth pesë mijë të tjerë u vranë dhe u zhdukën, u bartën dhe u varrosen nëpër varreza masive në Serbi, në përpjekje për të humbur gjurmët e krimit.

Forcat serbe përveç krimeve, mision kishin edhe plaçkitjen e çdo gjëje të vlefshme që mund të merrej dhe shkatërrimin e asaj që nuk mund të bartej në Serbi. Vetëm në pranverën e vitit 1999, iu vunë zjarrin rreth 200 mijë shtëpive të shqiptarëve.