Përkushtim për liberalizim

Kryeministri Thaçi kërkon përkushtimin e të gjithë zyrtarëve të përfshirë në procesin e Liberalizimit të Vizave. Ai thotë se kriteret që kërkohen të plotësohen, në realitet janë reforma.

Lajme

27/11/2013 11:21

Tri ditë para se në Kosovë të vijë misioni faktmbledhës për liberalizimin e vizave, Qeveria e Kosovës ka mbajtur takimin e Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se misioni vlerësues do të vlerësojë zbatimin e kritereve të 3 prej 5 blloqeve.

“Më pak se tri ditë punë na ndajnë nga misioni faktmbledhës i cili do ta vlerësojë zbatimin e kritereve të tri nga pesë blloqet për liberalizimin e vizave”.

“Ky mision do t’i vlerësojë vetëm tri blloqe. Pra do të vlerësojë zbatimin e kritereve që ndërlidhen me fushën e riatdhesimit, riintegrimit, sigurisë së dokumenteve personale, migrimit dhe azilit”.

“Një mision të ngjashëm e kemi pasur në tetor të vitit të kaluar. Jam më se i sigurt që zyrtarët me të cilët do të takohen me ekspertët e BE’së do të jenë në gjendje të prezantojnë një situatë shumë më të avancuar me atë që ka qenë para një viti”.

Gjatë qëndrimit të misionit faktmbledhës që do të jetë në Kosovë nga data 2 deri më 6 dhjetor, Kryeministri Thaçi kërkoi nga zyrtarët që në këto takime të jenë të përgatitur dhe të tregojnë për punën që e kanë bërë.

“Unë kërkoj nga ju që gjatë misionit faktmbledhës t’i keni bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, t’i keni me vete të gjitha të dhënat dhe t’i prezantoni ato ashtu siç janë, ashtu siç i kemi zbatuar”.

“Ne duhet të dëshmojmë përkushtimin dhe seriozitetin që të gjithë e kemi treguar gjatë kësaj kohe”.

Ai tha se ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kriteret e kërkuara në fakt janë reforma”.

“Ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin tonë pasi që këto kritere në realitet janë reforma prej të cilave në çdo aspekt do të përfitojë vendi dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Kryeministri Hashim Thaçi.