Përgjimet/ Ambiciet lakmitare të Valmira Bllacës për të shkuar në ministrinë që ka para

Një dyshim për korrupsion ndaj disa personave brenda policisë së Kosovës ka përfunduar më një aktakuzë voluminoze.

Lajme

18/09/2019 14:29

Dyshimet për dallavere me tender kishin aktivizuar sektorin për hetimin e korrupsionit që është në kuadër të policisë që të nisë një hetim brenda institucionit të tyre, konkretisht në zyrën e prokurimit.

Pasi ishte marrë edhe leja nga Gjykata Themelore në Prishtinë për përgjimet e telefonave ndaj disa zyrtarëve, aparate përgjuese ishin vendosur edhe brenda zyrës së prokurimit të policisë.

Lajmi.net ka mësuar se hetuesit e sektorit të korrupsionit tashmë e kanë dorëzuar kallëzimin penal për disa zyrtarë të policisë me cak të veçantë ndaj ish-drejtoreshës së prokurimit, Valmira Bllaca, e cila në nëntor të vitit të kaluar ishte transferuar në ministrinë e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së.

Para se të ngritje kallëzimi penal, hetuesit kanë hartuar një raport voluminoz që ka të bëjnë me përgjimet ndaj disa zyrtarëve.

Lajmi.net e posedon vetëm fletën e parë të hetimeve, ku cak i aparateve përgjues nëpër zyre ishte drejtoresha, Valmira Bllaca, e cila tash është drejtoreshë e prokurimit në ministrinë që është udhëhequr nga AAK-ja, ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Në këtë hetim që ka përfunduar me kallëzim penal shihen edhe ambiciet e Bllacës që ka kur të shkojë në ministrisë e Infrastrukturës.

“Vlen të theksohet se njëri nga të dyshuarit, Valmira Bllaca, drejtoreshë e Prokurimit të Policisë së Kosovës ka ndërruar vendin e punës, nga kjo pozitë ka kaluar në Pozitën e Drejtorit të Prokurimit në ministrinë e Infrastrukturës, vlen të ceket se më datë 14.11.2018, gjatë orarit të punës 08:40 -17:50, gjatë një bisede private në zyrën e saj me zyrtaren me emrin Sabile mes tjerave thekson se “po shkoj atje”, fjalën e ka për ministrinë e Infrastrukturës, “atje ku ka  para dhe atje do të më thërras edhe Presidenti edhe Kryeministri””, thuhet në raportin e hetuesisë i cili është përpiluar më datë 30.11.2018.

“Ju njoftojmë se Urdhëresa Nr.P.N.KR Nr. 152/18 nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Gjyqtari i Procedurës paraprake është duke aplikuar ashtu siç parashihet me procedurat ligjore. Këto masa janë aktive dhe veprimet hetimore janë në proces të zbardhjes së dyshimeve të pretenduara. Gjatë këtyre 15 ditëve të aplikimit të masave të fshehta kemi vërejtur se ka aktivitet të dyshimta të arsyeshëm se personat të cilët janë nën këto masa mund të kryejnë veprat për të cilat janë dyshuar”, thuhet në hyrje të raportit.

Pas transferimit të Bllacës në MIT, pajisjet e përgjimit ishin tërhequr nga zyra e saj brenda policisë.

“Po ashtu iu njoftojmë se pajisjet e masave të përgjimit që kanë qenë të vendosura për tri ditë radhazi në zyrën e saj, pas transferimit të saj në detyrë tjetër dhe në vend tjetër janë tërhequr. Po ashtu numri i saj 044 -198-686 që ka qenë duke u përgjuar pas transferimit të saj është jo aktiv”, thuhet tutje në raportin e hetuesisë.

Në nëntor të vitit të kaluar, Valmira Bllaca kishte zënë vendin e të shkarkuarit, Nexhat Krasniqi. Ajo ishte emëruar Drejtoreshë e Divizionit të Prokurimit në ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit nga sekretari Betim Reçica.

Ditë më parë lajmi.net ka raportuar se në kohën kur ishte transferuar nga institucioni i Policisë në MIT, ajo ka pasur kallëzim penal për korrupsion lidhur më dyshimet për tjerë tender në Policinë e Kosovës.

Madje, është raportuar në media se ish-shefja e zyrës së Prokurimit në Policinë e Kosovës, Valmira Bllaca, është duke u hetuar për falsifikim të dokumentit, i cili dokument ia ka mundësuar që të bëhet shefe e prokurimit.

Bllaca, sipas dyshimeve të hetuesisë, ka arritur të bëhet shefe e Prokurimit të Policisë me një vërtetim të falsifikuar, i cili “dëshmonte” përvojën e punës si “menaxhere kontabiliteti” në biznesin e familjes së saj, biznes i cili sipas dokumenteve zyrtare ka vetëm dy punëtorë.

Po ashtu lajmi.net ka mësuar se ndaj saj tashmë janë bërë edhe disa kallëzime penale në cilësinë e Drejtoreshës së ministrisë së Infrastrukturës. /Lajmi.net/