Përgatitja e gjyqit kundër Shalës në Hagë, mbrojtja kritikon prokurorinë për shtim të dokumenteve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet konferenca përgatitore për gjykim ndaj ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala. Aty mbrojtja e Shalës adresoi kritika në drejtim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për nxjerrje të materialeve sipas tyre me vonesë. Avokati Jean-Louis Gilissen tha se është e vështirë të…

Lajme

18/10/2022 12:00

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet konferenca përgatitore për gjykim ndaj ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala. Aty mbrojtja e Shalës adresoi kritika në drejtim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për nxjerrje të materialeve sipas tyre me vonesë. Avokati Jean-Louis Gilissen tha se është e vështirë të pranohen dokumente disa para konferencës përgatitore për gjykim meqë të njëjtat marrin kohë të analizohen.

Gilissen kritikoi ndryshmet nga ana e prokurorisë që përfshijnë heqjen e disa dëshmitarëve në këtë periudhë kohore dhe shtimin e dokumenteve.

“Më duhet të kujtoj faktin që janë rreth 500 dokumente që i janë dhënë me shumë vonesë palës mbrojtëse, ne kemi vështirësi shumë të madhe në mënyrën se si na janë paraqitur një numër i dokumenteve dhe të gjithë ne kemi humbur një kohë shumë të gjatë, gjykatësi i procedurës paraprake ka humbur shumë kohë, tani e kuptoj që situata po vazhdon të përsëritet”, tha ai.

Mbrojtja kujtoi se Shala ndodhet në paraburgim tash e 18 muaj për çka tha se materiale të tilla është dashur të nxirren dhe analizohen më herët.

“Nganjëherë na duhet të bëjmë hetime në teren pasi kemi marrë informacione të reja, dhe nganjëherë është kjo edhe situata më e pafavorshme, e ne detyrohemi të rilexojmë dokumentet kur kanë lindur aspekte të reja si rezultat i nxjerres së një dokumenti të ri. Ka ardhur koha tri japim fund kësaj mënyre të vepruarit. Kjo situatë nga pikëpamja procedurale duhet parë brenda kuadrit të një afati i cili tashmë ka kaluar, tani është koha të themi mjaft. Çfarë edhe gjyqi vet, gjyqi nuk mund të jetë një kurth, nuk mund të jetë një pritë që na bëhet, nuk them që këtë dëshiron të bëjë pala e prokurorisë por dua ta them qartë që kemi përshtypjen sikur po ecim në rërën që rrëshqet dhe po humbim shumë energji duke lexuar, për shkak se na duhet të lexojmë dokumente dhe të rifillojmë disa hetime”, tha ai.

Ai tha se duket sikur prokuroria po kërkon të ndryshojë këndin e strategjisë apo tërë argumentet e tyre.

Por kjo u kundërshtua nga prokurori Filipe Deminiqes.

“Çështja e prokurorisë nuk ka ndryshuar, ne kemi vendosur të heqim disa dëshmitarë gjë e cila është tërësisht normale në momentin kur shkon në gjykim në mënyrë të tillë që ta kemi më të përqëndruar çështjen. Sa i takon dokumenteve të reja që kemi shtuar mendoj që ndoshta avokati i referohet kërkesës për të ndryshuar listën e dokumenteve sipas rregullës 102 1 (b), këto janë të vetmet dokumente të cilat ne kemi shtuar në prezantimin e çështjes sonë, ne kemi kërkuar të nderuar gjykatës dokumente shtesë sepse ne dëshirojmë që këto materiale ti nxjerrim edhe sipas rregullës 102 1 b. Dy dokumente kanë të bëjnë me statusin e dëshmitarit në fund të korrikut, prokurori gjithashtu shpjegon që ndoshta nuk synon të përdorë këto dokumente në gjykim megjithatë ka vendosur t’i përfshijë këto dokumente për të qenë sa më përfshirës në dokumentet që i jep mbrojtjes”, tha ai.

Ndërsa mbrojtja ka kërkuar nga gjykatësja që të mos lejohet shtimi i dokumenteve herë pas here.

“Ka rregulla dhe ka edhe vonesa, ne e dimë që prokuroria e ka kaluar kohën për këtë njoftim. Ajo çfarë kërkojmë ne është të ju kërkojmë juve garanci në të drejtën efektive të mbrojtjes, është gjithmonë e njëjta gjë sa i takon të drejtës së mbrojtjes. Ky është një argument që avokatët e përdorin gjatë gjithë kohës megjithatë mendoj që kjo është një çështje efektiviteti pra për seancë gjyqësore efektive. Paragjykimi i vetëm që kemi ne është se ne nuk kemi pse të trajtojmë të analizojmë dokumente tani, është shumë vonë, ajo çfarë po kërkojmë ne është të kemi një garanci të epërsisë së të drejtës, së ligjit, kjo është çështja.

Konferenca përgatitore për gjykim po mbahet për të diskutuar informacionet e nevojshme për fillimin e gjyqit.

Në këtë konferencë nuk parashihet të diskutohet për fajësinë apo pafajësinë apo të dëgjohet ndonjë dëshmi.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.