Përfaqësimi i grave në bordet e NP-ve dhe agjencive është shumë i ulët

Instituti GAP organizon tryezën e rrumbullakët ku do të prezantojë analizën “Përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura”.

Lajme

19/09/2017 07:34

Përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura në Kosovë është shumë i ulët.

Nga 159 anëtarë të bordeve në 31 ndërmarrje publike, raporti i pjesëmarrjes gjinore është 85% burra dhe 15% gra.

Nga 184 anëtarë të bordeve në 31 institucione dhe agjenci të pavarura,  raporti i pjesëmarrjes gjinore është 81% burra dhe 16% gra dhe për 3% të anëtarëve nuk ka informacione.

Studime të ndryshme nga firmat konsulente më të mëdha në botë si dhe organizata ndërkombëtare tregojnë se  diversiteti gjinor ndikon në rritjen e performancës së një kompanie në një sërë aspektesh.

Analiza e Institutit GAP nxjerr në pah problemet kryesore me mungesën e diversitetit gjinor në bordet e lartpërmendura dhe rekomandon zbatimin e kuotave gjinore meqë në raste të mëparshme ato kanë rezultuar me rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita vendimmarrëse edhe pas futjes së kuotave.