Përçarja brenda Vetëvendosjes: Ymeri merr vendim për mbledhjen e Kryesisë

Pas përplasjes brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ku në një bisedë mes anëtarëve të partisë në platformën komunikuese Viber deputetja Aida Dërguti e ofendoi deputetin Albin Kurti, kryetari Visar Ymeri ka vendosur ta shtyej mbledhjen e Kryesisë të paraparë për t’u mbajtur të shtunën.

Lajme

08/12/2017 23:05

Nga një email që ka siguruar Insajderi, të dërguar nga aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Tahiri për aktivistët e tjerë të partisë, thuhet se kryetari Visar Ymeri ka marrë vendim që të shtyej për një ditë tjetër mbledhjen e qeverisë.

“Kryetari Ymeri më kërkoj t’ju njoftoj se nesër, të shtunën, nuk mbahet mbledhja e Kryesisë”, thuhet në mesazhin që ia ka dërguar aktivisti Tahiri, aktivistëve të tjerë të VV-së, përmes postës elektronike.

Mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, e paraparë të zhvillohej nesër, nuk dihet ende se kur do të mbahet. “Mbledhja shtyhet për një ditë tjetër”, shkruhej në mesazhin e aktivistit Glauk Tahiri.

Pas publikimit të fjalës fyese të deputetes Aida Dërguti ndaj ish-kreut të Lëvizjes Albin Kurti, kryetari Visar Ymeri kishte qortuar deputeten nga Vushtrria. Kështu thoshte Ymeri në një email që i kishte dërguar zyrtarëve të Lëvizjes në Tiranë.

Dërguti e kishte quajtur “mut” Kurtin. Kjo është dëshmuar nga publikimi në media i një bisede në grupin e aktivistëve të VV-së në platformën Viber.