Panairi i Punës në Gjakovë, ofron 800 vende për punësim të rregullt dhe punë praktike

Në Gjakovë është mbajtur sot Panairi i Punës, aktivitet ky i organizuar nga Organizata gjermane GIZ, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës si dhe komuna e Gjakovës.

Lajme

12/03/2016 17:41

Me këtë rast, rreth 30 biznese dhe institucione tjera kanë paraqitur rreth 800 vende të lira, për punësim të rregullt, punësim sezonal apo edhe punë praktike.

Organizatorët kanë thënë se një aktivitet i tillë është i mirëseardhur, veçanërisht në një komunë siç është Gjakovë, ku nevoja për punësim, kryesisht të të rinjve, është shumë e madhe.

Gjatë zhvillimit të tij, aktivitetin e ka vizituar edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila i ka motivuar banorët e komunës së Gjakovës, me theks të veçantë të rijnë që të aplikojnë për këto vende pune.

“Ky panair është një mundësi e mirë për ndërmarrjet por sidomos për punëkërkuesit, pasi që dihet nevoja për punë jo vetëm në Gjakovë por në tërë Kosovën. Unë jam shumë e kënaqur që gjithë këtë punë ofrues që janë këtu prezent kanë një fond të konsiderueshëm të vendeve të hapura të punës dhe kjo është një mundësi e mirë për të rinjtë dhe të rejat, por edhe punëkërkuesit tjerë, që të informohen se çfarë kërkohet në tregun e punës, cila është procedura e punësimit e tjera. Kjo është forma moderne që përmes panaireve të gjendet punë dhe të hiqet forma klasike që përmes lidhjeve apo intervenimeve të gjendet një vend pune. Unë inkurajoj të rijnë që të vijnë dhe të aplikojnë sot për një vend pune, sepse edhe në komunën e Gjakovës po shihet se ka mundësi punësimi, veçmas në sektorin e prodhimtarisë”, ka thënë Kusari – Lila.

Ndryshe, në hapjen e Panairit të Punës, ka marrë pjesë edhe shefi i organizatës GIZ James Macbeth, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Izedin Bytyqi dhe drejtori i Drejtorisë për Administratës dhe Personelit në komunën e Gjakovës Armend Vokshi./ Lajmi.net