Oborret e shkollave të Ferizajt, depo mbeturinash

Iniciativa për Progres (INPO) reagoi ndaj mosgatishmërisë dhe mungesës së efikasitetit të KRM “Pastërtia” për të mbledhur dhe menaxhuar mbeturinat në qytetin e Ferizajt.

Lajme

24/02/2015 18:33

Përmes një komunikate për media, INPO thotë se oborret e shkollave të Ferizajt janë shndërruar në depo ilegale të mbeturinave.

Mbulimi i pjesshëm i territorit me shërbime pastrimi, sipas INPO-s, ka rezultuar me  hedhje mbeturinash në ambiente të hapura publike dhe në vende që nuk janë të destinuara për mbeturina, siç janë oborret e shkollave.

“Ambienti i pastër është çështje e rëndësishme për të gjitha vendet, sidomos lokacionet afër shkollave dhe brenda tyre. Është e papranueshme që deponi të tilla të mbeturinave të jenë të pranishme në oborret e shkollave, dhe Komuna së bashku me KRM “Pastërtia” të mos reagojnë për sanimin e gjendjes së krijuar”, thotë INPO.

Kjo organizatë e cila monitoron komunën e Ferizajt thotë se komuna ka për detyrë që t’i krijojë parakushte KRM “Pastërtia” për kryerjen e shërbimeve të pastrimit sipas standardeve të kërkuara.

INPO kërkon nga Komuna që t’i bëjë presion KRM “Pastërtia”, në mënyrë që kjo e fundit të realizojë detyrat e saj në përputhje me ligjin, duke pastruar këto hapësira publike. Krejt kjo për një ambient më të pastër rreth shkollave. (KosovaPress)