“Njohja e Kosovës bashkëkohore” prezanton dy botime

Evropa është duke kaluar një periudhë të trazirave dhe ndryshimeve, në të cilën konstantet politike, siç është premtimi i Selanikut për integrimin e tërësishëm të Ballkanit Perëndimor në BE, janë duke u vënë në pikëpyetje në vazhdimësi.

Lajme

18/09/2019 07:58

Në këtë periudhë fluksi dhe përplot pasiguri, projekti i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur “Building knowledge about Kosovo” (Ndërtimi i njohurive për Kosovën) vazhdon punën e vet produktive duke e zgjeruar rrjetin e hulumtuesve të rinj dhe ata me përvojë të cilët merren me çështjet aktuale në Kosovë.

Si përgjigje ndaj sfidave që ballafaqojnë Kosovën dhe vendet tjera, KFOS organizon promovimin e publikimeve dhe panel diskutimin “Njohja e Kosovës bashkëkohore” që do të mbahet sot në ora 14:00 në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë.

Me këtë rast, projekti “Building knowledge about Kosovo” do të prezantojë dy botime kyçe të gjeneratës së dytë të hulumtuesve:

Librin përmbledhës Local and International Determinants of Kosovo’s Statehood ( Përcaktuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të shtetësisë së Kosovës) të redaktuar nga Ioannis Armakolas, Agon Demjaha, Arlda Elbasani dhe Stephanie Schwandner-Sievers, që paraqet një hyrje të mprehtë në disa nga dimenzionet më sfiduese lokale dhe ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës, dhe prezenton hulumtime dhe analiza origjinale nga ekspertë nga gjithandej Evropa – prej Spanjës deri tek Romania, nga Maqedonia e deri tek Shqipëria.

Broshurën “In Brief: Takes on Kosovo’s policy challenges” (Shkurt: Opinione mbi sfidat politike të Kosovës), e redaktuar nga Lura Limani dhe Ioannis Armakolas, dhe e cila përmban një përmbledhje të disa prej kolumneve dhe analizave të shkurta të shkruara nga hulumtuesit (gjenerata e dytë) dhe të botuara nga medie evropiane me influencë të gjerë.

Këto dy botime do të diskutohen nga një panel ekspertësh që përbëhet nga redaktorët dhe autorët e librit. /Lajmi.net/