Një milion euro kontrabandë, dy persona në kërkim

Prokuroria e Tiranës dhe sektori i Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kanë zbuluar një rast kontrabande, me dëm ndaj shtetit në vlerë mbi 1 milion euro.

Lajme

22/12/2015 15:05

Për këtë rast janë marrë të pandehur shtetasit Gjovalin Ndoj dhe Paulin Preçi, administratorë të kompanisë së lojërave të fatit “Saturn Games”, të cilët po hetohen nën masën e sigurimit “arrest në burg” në mungesë.

Njësia Task-Force e prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimin në bazë të disa materialeve referuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, pas dyshimeve të krijuara se administratorët e kompanisë blinin pajisje lojëra elektronike në Gjermani dhe Slloveni dhe i deklaronin pranë autoriteteve doganore me shifra shumë herë më të ulëta blerjeje, me qëllim shmangien e taksave doganore.

Në bazë të veprimeve hetimore të prokurorisë së kryeqytetit rezulton se dy administratorët e kompanisë, në funksion të aktivitetit të tyre, gjatë viteve 2011 dhe 2012 kanë blerë një sasi të konsiderueshme makinerish për lojëra fati në kompani të ndryshme në Gjermani dhe Slloveni.

Në thuajse të gjitha rastet, këto blerje janë deklaruar dukshëm shumë herë më të vogla pranë autoriteteve shqiptare krahasuar me faturat origjinale të blerjes, të cilat janë përfituar në bazë të letër-porosive të prokurorisë shqiptare si edhe kërkesave për ndihmë zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave drejtuar autoriteteve gjyqësore dhe doganore gjermane e sllovene.

Nga hetimet rezulton se shtetasi Paulin Preçi, në cilësinë e përfaqësuesit të “Saturn Games”, në vitin 2011 ka realizuar shtatë hyrje malli në degën doganore Tiranë, të gjitha të shoqëruara me dokumente blerjeje të falsifikuara.

Kurse shtetasi Gjovalin Ndoj, gjithashtu përfaqësues i “Saturn Games”, në vitin 2012 ka realizuar dhjetë hyrje malli në degën doganore Tiranë, të cilat nga hetimi rezulton se janë të gjitha të shoqëruara me dokumente blerjeje të falsifikuara.

Në bazë të veprimeve hetimore, prokuroria e Tiranës vlerëson se dëmi i shkaktuar ndaj shtetit shqiptar nëpërmjet shmangies së detyrimeve doganore nga ana e dy shtetasve të mësipërm është rreth 150 milionë lekë (rreth 1 milion euro)./Shekulli