Ngërçi politik bllokoi edhe komunat

Buxheti i shkurtuar dhe kriza politike kanë qenë sfidat më të cilat janë përballuar Komunat e Kosovës gjatë vitit 2014. Përkundër kësaj, të ardhurat vetanake këtë viti kanë shënuar rritje rreth 26 për qind krahasuar me vitin 2013. 

Lajme

03/01/2015 11:51

Shkurtimi i buxhetit dhe kriza politike që ka përcjellë vendin, kanë qenë sfidat më të mëdha edhe për qeverisjen lokale gjatë vitit 2014.

Për kundër kësaj, performanca e komunave është vlerësuar si e mirë, duke pasur parasysh se këtë vit, në shumicën e komunave është ndërruar edhe udhëheqësia.

Sazan Ibrahimi kryetari Asociacionit të Komunave të Kosovës ka thënë se në përgjithësi performanca e komunave ka qenë e lartë, por sipas tij, shkurtimi i buxhetit ka qenë sfidë e madh për qeverisjen lokale.

Ibrahimi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se me vendimin për shkurtim të buxhetit në mallra dhe shërbime ka prekur edhe mirëqenien e qytetarëve.

“Në fillim të vitit 2014 komunave u është shkurtuar buxheti në mallra dhe shërbime me 15 për qind, shkurtim ky i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarit. Sfidë tjetër ka qenë ngërçi politik në nivel qendror, sepse për këtë shkak, komunat nuk kanë mundur t’i realizojnë disa objektiva të parapara me planin e veprimit komunal si dhe të parapara me buxhetet komunale”.

Ai ka thënë se në përgjithësi në nivelin lokal të hyrat, vetanake janë ngritur rreth 26 për qind krahasuar me vitin 2013.

Buxhetin si problem për qeverisje lokale e ka vlerësuar edhe eksperti i kësaj fushe, Besnik Tahiri.

Ai  për lajmi.net ka thënë se Komunat e Kosovës  funksionojnë me mekanizma të dobët, të formuar aty për aty sa i përket financimit të investimeve kapitale dhe po ashtu janë të kufizuara në masë të madhe me opsionet që janë në dispozicion në kuadër të procesit vjetor të buxhetit.

“Financimi i investimeve kapitale në komuna është penguar në mënyrë të ngjashme dhe nga vendimmarrja ad hoc dhe afatshkurtër. Mund të themi se viti 2014 ka qenë sfidues edhe sa i përket aspektit financiar dhe menaxhimit me financat lokale, kjo për faktin se ata e kanë pasur të pamundur të bëjnë rishikimin buxhet”, ka thënë Tahiri.

Ai duke folur për punën e kryetarëve të rijnë, ka thënë se përkundër problemeve që u ka shkaktuar kriza politike, disa prej kryetarëve të rinj kanë dëshmuar se janë të aftë për ti mbajtur premtimet.

Tahiri ka thënë se disa prej tyre e kanë kuptuar se mospuna mund tu kushtojë me humbje të pozitës.

“Ka edhe aspekte pozitive dhe nisje të mirë nga një pjesë e madhe e përfaqësuesve të komunave, kjo kryesisht ndërlidhet me atë se ka përpjekje e tyre për të mbetur besnik premtimeve. Mund të thuhet se mandatarët e rinj e kanë më të qartë se arroganca qeverisëse mund tu kthehet në humbje, e kjo i ka shtyra ata të jenë më të përgjegjshëm, transparent dhe llogaridhënës karshi qytetarëve”, ka thënë Tahiri. (lajmi.net).