Ngatërresë artistësh: “Brisku” i Shatrollit i preu “Dashnorët” e Gorancit

Teatri Profesionist i Pejës, të shtunën do ta ketë një shfaqje premierë. Por para se aktorët të ngjiten në skenë, një dramë akuzash është inskenuar tashmë.

Lajme

15/03/2016 16:41

Teatri kishte vendosur më 15 janar të vitit 2015, të inskenojë komedinë “Dashnorët” e autorit Osman Goranci me regjisor Ben Apolloni. Në mungesë të fondeve, drejtori i Teatrit e kishte shtyrë procesin e kësaj komedie.

Këtë vit Teatri “Istref Begolli”, morri 7 mijë euro nga Ministria e Kulturës për këtë tekst. Autori Goranci vendosi që regjisor të jetë Naser Shatrolli.

E këtu edhe plasë i gjithë sherri, ndërmjet regjisorit Shatrolli dhe autorit Goranci. Në një intervistë dhënë për KultPlus,  Goranci tregoi detaje të tjera për mos inskenimin e shfaqjes së tij, për mospagesën e dëmit e mbi të gjitha në ndërrimin e tekstit  të tij.

“Pasi që, teksti veç miratohet nga Këshilli Drejtues i Teatrit të Pejës, me 15 dhjetor, Naser Shatrolli ma dërgon një mesazh duke më uruar dhe falënderuar për kalimin e tekstit në leximin e parë. Më 30 dhjetor,  përsëri më dërgon një mesazh duke më thënë se duhet të bëjë disa ndryshme të vogla, ku në këtë rast i them se është në rregull”, tregon Goranci.

Më 20 janar të këtij viti,  në profilin e tij në facebook, Shatrolli publikon se ka filluar provat e shfaqjes së tij “Brisku”, shfaqje kjo që do të inskenohet në Teatrin Profesionist të Pejës.

“Unë çuditem dhe e thërras drejtorin e Teatrit të Pejës, i cili më thotë që ta lë,  sepse s’është asgjë që është ndërruar titulli, dhe nuk e bëra të madhe. Me 25 janar, Naseri ma dërgon një mesazh duke më thënë se komedia nuk po i shkon, duke më thënë se ka bërë një tekst tjetër me motive të tekstit tim, dhe unë i thash se nuk guxon të ndërroj asgjë pa më pyetur mua”, vazhdoi Goranci.

Ai ka reaguar në institucionet e Pejës, por pasi nuk gjeti zgjidhje u ankua edhe në Ministrinë e Kulturës.

Por jo njëjtë tregon regjisori Naser Shatrolli. Ai në një prononcim për KultPlus, tregon se tekstin të cilin ai e ka bërë nuk ka asnjë motiv të tekstit të Osman Gorancit, por megjithatë Shatrolli nuk e mohon faktin se Gorancin ka dashur ta bëjë bashkautor.

“‘Brisku’, është tekst i ri i shkruar gjatë procesit, dhe nuk kam as një presje të tekstit të Osmanit. Unë nuk kam as motive,  as asgjë nga teksti i Osmanit, dhe të tregoj të drejtën i kam thënë,  po ta qes emrin si bashkëautor,  por ai nuk ka dashur, pasi që, ka dashtë ta inskenojë tekstin e tij pra ‘Dashnorët’. Ne e kemi premierën të shtunën, dhe shpresoj që çdo gjë të shkoj siç duhet”, u shpreh Shatrolli.

Për këtë çështje, për KultPlus foli edhe drejtori i Departamentit të Kulturës në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj. Sipas Zefajt, ky ka qenë një keqkuptim midis regjisorit dhe tekstshkruesit, dhe i gjithë ky keqkuptim ka ndodhë për faktin se i kanë besuar verbërisht njëri-tjetrit, duke bërë kështu që mos të kenë asnjëherë asnjë marrëveshje me shkrim.