Ngarkime, shkarkime e rrahje – Kush është ish-sekretari i MTI-së që u raportua se u kap me 50 kg drogë?

Ish-sekretari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Burim Rreci, është arrestuar në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë.

Lajme

15/02/2022 18:03

Kështu ka raportuar sot media malazeze Vijesti.me, e cila ka bërë të ditur se Rrecit i janë gjetur në veturë rreth 50 kilogramë marihuanë.

Mediat malazeze: Ish-sekretari i MTI-së së Kosovës kapet me 50 kg drogë në kufi

Kush është Burim Rreci?

Burim Rreci ishte emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – MTI në janar të vitit 2018, në kohën e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Edhe pse ishte emëruar me mandat 3-vjeçar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së, Rreci ishte shkarkuar nga kjo pozitë po në vitin 2018 nga ish-ministri i MTI-së, Bajram Hasani.

Hasani, i cili ishte në atë kohë anëtar i partisë Nisma Socialdemokrate, në vendimin për shkarkimin e Rrecit kishte ngritur dyshime për keqpërdorime në MTI.

Në vendim thuhej se Rreci ishte përfshirë duke bërë presione nëpër komisione që emëronin shërbyes civilë. Sikur kjo të mos mjaftonte, në vendimin e Hasanit thuhej se Rreci ishte përfshirë drejtpërdrejt edhe në grante e tenderë të ndryshëm.

E ky vendim si duket i kishte “kushtuar” vetë ish-ministrit Bajram Hasani, i cili me kërkesë të partisë së tij, ishte shkarkuar nga posti i ministrit të MTI-së.

Pas shkarkimit të Hasanit, Rreci ishte rikthyer shpejt në postin e sekretarit nga ushtruesja e detyrës së ministres së MTI-së, Arbëreshë Krasniqi. Rikthimi i Rrecit në pozitën e mëparshme kishte nxitur mjaft shumë reagime në opinion dhe tek organizatat joqeveritare.

Kundër zgjedhjes së Rrecit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të MTI-së, ishte edhe komisioni nga Ambasada britanike në Kosovë, të cilët e kishin radhitur Rrecin të katërtin në listë.

Rrahja me nipin e Jakup Krasniqit

Burim Rreci ishte raportuar se është përfshirë edhe në një përleshje fizike gjatë vitit 2019, ku ishte rrahur me nipin e ish-zyrtarit të lartë të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqit.

Rrahja ishte raportuar se ka ndodhur brenda hapësirave të MTI-së, ku ishin përfshirë Arian Krasniqi dhe Burim Rreci. Pas përleshjes, komisioni disiplinor kishte suspenduar nipin e Jakup Krasniqit, Arian Krasniqin.

Ngarkime e shkarkime nga detyra

Edhe pse së pari Burim Rreci ishte shkarkuar nga ish-minsitri i MTI-së, Bajram Hasani, pas rikthimit në detyrë dhe raportimet për përleshje fizike brenda objektit të MTI-së, Rreci kishte pasur “probleme” edhe me ministrin e ri të MTI-së, Vesel Krasniqin.

Krasniqi e kishte pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Burim Rrecin, me arsyetimin për “neglizhencë” dhe “mosbashkëpunim” nga ana e Rrecit.

Vendimin për kthim në punë të Rrecit e kishte marrë më vonë Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në vendim thuhej se Burim Rreci kthehet në pozitën e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësit e përcaktuar me vendimin e Qeverisë nr.11/26 të datës 29 janar 2018 dhe legjislacionin në fuqi, në zbatim të aktvendimit A.nt 16662.2020 të datës 9.10.2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë/ Departamenti për Çështje Administrative.

Por, vetëm pak ditë pasi që Gjykata kishte vendosur ta kthejë në punë sekretarin e MTI-së, ai ishte pezulluar sërish nga ministri Krasniqi.

Sipas vendimit të MTI-së, Rreci ishte pezulluar sërish deri në një vendim tjetër të ministrisë.

Në vendim thuhet se pezullimi bëhet për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore: Mos përmbushje e detyrave të punë, mosrespektim i afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda, moszbatim i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale, dëmtim i pasurisë shtetërore, përdorimi i saj jashtë përcaktimit zyrtar apo keqpërdorim i pasurisë shtetërore, shkelje e detyrave të përcaktuara në ligjin dhe legjislacionin në fuqi. /Lajmi.net/