Nënpresidenti amerikan dhe gruaja e tij s’janë infektuar me koronavirus

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence dhe gruaja e tij kanë dalë negativ në testet për koronavirus, bëri të ditur një zëdhënëse e tij të shtunën.

Bota

22/03/2020 08:49

“Ju raportojmë me kënaqësi se rezultatet e testimit për koronavirus kanë dalë negative për nënpresidentin Mike Pence dhe bashkëshorten e tij, Karen Pence”, shkroi në Twitter zëdhënësja Katie Piller.

Pence deklaroi më herët të shtunën se do të testohej për virusin Covid-19 pasi një pjesëtar i stafit të tij doli pozitiv për këtë sëmundje në orët e vona të së premtes, raporton “Anadolu”, transmeton lajmi.net.

“Ai nuk ka qenë në Shtëpinë e Bardhë që nga dita e hënë. As presidenti as unë nuk kemi pasur kontakte me atë pjesëtar të stafit”, tha Pence gjatë një konference për media para testimit.

Të shtunën e kaluar, këtij testi iu nënshtrua edhe presidenti amerikan, Donald Trump dhe doli të jetë negativ.

Sipas Universitetit “Johns Hopkins”, mbi 304 mijë persona në mbarë botën tashmë janë infektuar me koronavirus, kurse mbi 25 mijë prej tyre janë në Shtetet e Bashkuara. Nga virusi në këtë shtet kanë vdekur 307 njerëz. /Lajmi.net/