Ndryshimet Kushtetuese në Maqedoni, dalin në pah kalkulimet partiake

Shumica dhe opozita nuk bëjnë të ditur takimet e mundshme për konsensusit prej 2/3 -ave në Kuvendin e Maqedonisë me qëllim kalimin e ndryshimeve Kushtetuese.

Lajme

02/10/2018 17:55

Ndonëse kryeministri maqedonas Zoran Zaev ditë më parë paralajmëroi fillimin e takimeve, dallimet mes palëve çdo ditë dalin në pah, njofton Klan Kosova.

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski në paraqitjen e fundit televizive theksoi se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së është i koordinuar dhe se parakusht i Qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve është ndërrimi i kryeprokurorit me propozim të opozitës.

VMRO-ja është e sigurt në votat e konsoliduara në Kuvend dhe pas rezultatit në referendum nuk sheh arsye për të mbështetur ndryshime Kushtetuese.

”Sigurimi i shumicës prej 2/3 për çka? Porosia është e qartë. Sa i përket qytetarëve, marrëveshja nuk kaloi, nuk ka legjitimitet, ishte i vendosur në referendum, nuk kaloi. Referendumi nuk kishte sukses, dështoi. Marrëveshja e Prespës më nuk ka legjitimitet dhe mbi të nuk guxon të ketë ndërhyrje ligjore apo ta themi ndryshe, pas kësaj marrëveshje jo legjitimi nuk guxon të ketë pasoja juridike- deklaroi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së”.

Nga LSDM thonë se do të nisin bisedimet për t’i bindur deputetët opozitar. Socialdemokratët besojnë se arritja e 2/3 është e mundshme.

”Neve i japim një mundësi procesit. Nisim bisedime me grupin parlamentar dhe të shohim se cfarë do të ndodhë. Ta lëmë që procesi të vijojë. Se si do të shkojnë punët dhe si do të përfundojnë, sigurisht se do të njoftoheni- tha Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së”.

Në rast se dështojnë bisedimet, kryeministri Zoran Zaev është i vendosur që Maqedonia të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Madje jo zyrtarisht flitet se njëri ndër variantet mund të jetë edhe testimi i opozitës, respektivisht inicimi i shpalljes së zgjedhjeve dhe dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev.

Me idenë e kryeministrit nuk pajtohen as partnerët e koalicionit, shkruan Alsat.