Ndikimi rus në Ballkan, Kodheli pret homolgun malazez

Në kohën kur zërat dhe veprimet konkrete për rritjen dhe ndikimin rus në Ballkan janë kthyer në një shqetësim jo të vogël, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli priti mesditën e së martës në Tiranë homologun e saj malazez, Predrag Boshkoviq.

Lajme

21/03/2017 14:43

Në takimin mes tyre, dy ministrat u ndalën pikërisht tek situata e sigurisë në Ballkan dhe tek mbështetja që Shqipëria i ka dhënë dhe vijon t’i japë integrimit të Malit të Zi në NATO. Ministri Boshkoviq përmendi rastin e atentatit të dështuar ndaj ish-kryeministrit Gjukanoviq, pas të cilit dyshohet se fshihen faktorë rusë.

Ai theksoi se autoritetet janë duke vijuar hetimet pavarësisht propagandës që përhapet në media. Por për ministrin, vendet e rajonit nuk duhet të bien pre e këtyre ngjarjeve.

“Në këtë rajon nuk banojnë rusët, por ne. Dhe ne jemi shumë të interesuar për të mos krijuar konflikte këtu në rajon”, tha Boshkoviq.

Më e ashpër në qëndrimin e saj ishte ministrja Kodheli.

“Çdokush që kërkon të ndërhyjë dhe të trazojë situatatat e sigurise të ekulibiruarta tashmë në Ballkan, dhe kur them tashmë kini parasysh Ballkanin e 20 viteve më parë që ishte shumë i trazuar, unë besoj që do të marrë përgjigjen që meriton”, tha Kodheli. / Top Channel