Mustafë Hasani merr detyrën e kryeshefit ekzekutiv të KOSTT

Me vendimin e Bordit të Drejtorëve të KOSTT të datës 6 nëntor 2020, Mustafë Hasani sot mori detyrën e kryeshefit ekzekutiv të Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu – KOSTT.

Lajme

09/11/2020 17:24

Pas vendimit pozitiv të instancës së parë të Gjykatës Themelore si dhe të instancës së dytë të Gjykatës së Apelit me ç’rast vendimi për rikthimin e Mustafë Hasani në vendin e punës kryeshef ekzekutiv është bërë i formës së prerë, Bordi i Drejtorëve të KOSTT më 6 nëntor vendosi për zbatimin e urdhrit të Gjykatës.

Mustafë Hasani, me profesion doktor i shkencave të ekonomisë, mban përvojë shumë vjeçare në pozita të ndryshme udhëheqëse në institucionet vendore.

Ai ka mbajtur pozitën e kryeshefit ekzekutiv të KOSTT nga dhjetori 2015 deri në gusht të vitit 2017. Ndërkaq paraprakisht ka mbajtur pozitën e drejtorit gjeneral në Administratën Tatimore të Kosovës, kryeshef ekzekutiv i Agjensionit për Promovimin e Investimeve, drejtor i Bordit të Trafikut Urban dhe drejtor i Departamentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat në Ministrinë e Financave.

Gjithashtu ka qenë i angazhuar në projekte të ndryshme të Komisionit Evropian si dhe si ligjërues i lëndëve ekonomike në kolegje private në Kosovë.

Me rastin e marrjes së detyrës, Hasani tha se po rikthehet në KOSTT në një etapë të rëndësishme për të gjithë sektorin e energjisë në Kosovë.

“Bashkërisht me menaxhmentin e lartë do të përkushtohemi në arritjen e objektivave strategjike të kompanisë, implementimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe realizimin e përgatitjeve sa më profesionale për fillimin e funksionimit si zonë rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë si dhe operacionalizimin e Bursës Shqiptare të energjisë ALPEX. Gjithashtu, siguroj të gjitha palët e interesit vendore dhe ndërkombëtare në përkushtimin tim për bashkëpunim profesional, gjithnjë në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik të vendit”, ka thënë ai.  /Kp