Mungesa e Ahmetit dhe Aliut shtyn diskutimet me qytetarë

Kuvendi Komunal i Prishtinës, nuk ka arritur që të miratojë asnjë vendim për dhënien në shfrytëzim të tokave komunale.

Lajme

18/06/2015 18:15

Mungesa e Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti dhe Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, Liburn Aliu ka nxitur heqjen nga diskutimi propozimvendimet për miratim-lënien në dispozicion për diskutim publik të planeve rregulluese të lagjeve të Komunës së Prishtinës.

Ndër pikat që kanë ngjallur më së shumti debat, ishin ato për dhënien në shfrytëzim afatgjatë dhe afatshkurtër të pronave komunale, në zonën kadastrale në fshatin Barilevë dhe ish-konvikteve të shkollës “Gjin Gazuli”.

Duke u arsyetuar se nuk janë organizuar debate të mjaftueshme publike, dhe se banorët e asaj zone janë anashkaluar nga komuna, opozita nuk e ka përkrahur këtë propozim.

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Muhamet Selmani tha se ishte njoftuar për këtë plan vetëm nëpërmjet postës elektronike, por, ata kanë refuzuar të mbështesin planin se janë lënë anash nga Komuna e Prishtinës.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka kundërshtuar nënkryetari i Komunës Dardan Sejdiu, duke thënë se më së paku gjashtë herë është mbajtur takim me banorët e Barilevës, ku janë diskutuar idetë se si të shfrytëzohen këto toka.

Ndërsa, në të njëjtën mbledhje asamblisti i PDK-së Lirak Çelaj ka bërë një propozim që dy rrugë në Prishtinë të emërohen me emrat e Ukshin Hotit dhe Adem Demaçit. Por kjo nuk u mbështet sepse, ekziston një rrugë me emrin e Ushin Hotit, ndërsa për Adem Demaçin u tha, se nuk emërohen rrugët me emrat e atyre që janë gjallë.