Ministri i Brendshëm austriak beson se sulmi në Vjenë ishte terrorist

Sulmi i së hënës në Vjenë besohet se është terrorist, me disa persona të lënduar e disa që besohet se kanë vdekur, ka thënë ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, për “ORF”.

Bota

02/11/2020 22:13

“Për momentin mund të konfirmoj se ne besojmë se është sulm terrorist”, ka thënë ai.

Agjencia austriake e lajmeve APA citoi Ministrinë e Brendshme të vendit të thoshte se një sulmues ishte vrarë dhe një tjetër mund të ishte në arrati.

Policia tha se operacioni në qendër të qytetit ishte duke vazhduar dhe u bëri thirrje njerëzve të shmangin të gjitha hapësirat e hapura dhe transportin publik.

“Ka disa persona të plagosur,” shkroi policia në Twitter.

“Ne jemi në terren me të gjitha forcat në dispozicion. Ju lutemi shmangni të gjitha sheshet publike në qytet ”. /Lajmi.net/