Memoriali

Studentët e rënë për çlirim, liri dhe shtet të Kosovës meritojnë të nderohen edhe përmes ngritjës së memorialit në dedikim të tyre.

Opinion

28/09/2016 16:42

Shkruan: Burim ETEMAJ

Studentët përgjatë çdo periudhe historike të kombit shqiptar në Kosovë kanë qenë promotor të proceseve politike kombëtare. Kështu ka ndodhur në vitin 1968; në pranverën e vitit 1981; në vitet 1989 dhe 1990; kështu ishte edhe në vitin e kthesës së madhe historike të Kosovës, të përpjekjës së saj për çlirim, liri, të drejta njerëzore e kombëtare- në vitin 1997, duke kulmuar, së fundi, në luftën çlirimtare të kryeveprës sonë kombëtare- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Riaktualizimi i kërkesës së studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për ngritjen e një memoriali për studentët e rënë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, është për t’u përshendetur. Duke qenë një nga kërkesat më domethënëse, pa prapavi politike partiake, çfarë në Kosovë është së tepërmi e pranishme, madje jo vetëm te partitë politike, të drejtuara kohëve të fundit nga studentët tek organet drejtuese të universitetit, duhet mbështetur nga të gjithë akterët institucional arsimor, duke përfshirë edhe institucionet tjera të pushtetit, në mënyrë që të jetësohet

sa më shpejt që të jetë e mundur. Pse jo, data ideale, për shkak të karakterit të tyre të veçantë historik kombëtar, do të mund të ishte marsi ose prilli i vitit të ardhshëm, 17 Shkurti apo qershori, si muaj të çlirimit të Prishtinës dhe gjithë Kosovës, pastaj 1 Tetori i famshëm, si datë e përvjetorit të demonstratës paqësore të studentëve e deri tek 28 Nëntori.

Rektori Marjan Demaj së bashku me menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka në duar shansin e artë: Ta mbështesin realizimin e ndërtimit të këtij memoriali. Në të kundërtën, do të bënin gabim të pafalshëm si ndaj historisë ashtu edhe ndaj ish-studentëve të tyre, të rënë për liri dhe atyre të gjallë.

Studentët e rënë në luftë, kush në vijë të frontit, kush duke e ndihmuar luftën në forma të tjera, apo ata që ishin viktima të regjimit serb, meritojnë ta kenë memorialin e tyre dhe nderimin e vazhdueshëm edhe institucional të shoqërisë sonë. Duke nderuar ata, krahas sakrificave e gjakut të tyre të derdhur, nderojmë të sotmen tonë të lirë si dhe të nesërmen prosperuese.

Por, ky memorial, kurdo që të ngritet, e unë uroj që kjo të ngjajë sa më shpejt, do të duhej që të jetë përtej përmasave çfarë është paramenduar dhe po kërkohet tani nga ana e Unionit të Studentëve të Kosovës. Të jetë gjithëpërfshirës, jo përjashtues i gjeneratave të studentëve dhe epokave tona kombëtare, të përfshijë patjetër edhe studentët e rënë për liri e Republikë nga viti 1968 deri në çlirimin e Kosovës, në vitin 1999. Nuk duhet harruar, se edhe vetë lufta çlirimtare ishte vazhdimësi e përpjekjeve titanike të shumë gjeneratash.

Pas aprovimit të kërkesës së studentëve, Universiteti i Prishtinës do të duhej fillimisht së bashku me Unionin Studentor të ngrisnin një juri profesionale, me njohës të shkëlqyer dhe të shumtë të fushave të artit, duke përfshirë në këtë juri domosdo edhe përfaqësuesit e Shoqatave të dalura nga lufta e UÇK-së, dhe, ashtu si juria, edhe konkursi të ishte gjithëkombëtar, në mënyrë që memoriali të jetë modern, vepër artistike me vlera universale, të qëndrushëm në linjë me trendet moderne të arteve botërore.

Vendi se ku do të vendosej memoriali, do të duhej të ishte hapësira universitare, kuptohet duke qenë e studiuar mirë çdo aspekt i saj, duke filluar nga ai fizibil, ambientor e deri tek ai pamor, në mënyrë që memoriali të shërbejë edhe si përafrues i epokave të së kaluarës së popullit tonë me ato që do të vijnë.

Studentët e rënë për çlirim, liri dhe shtet të Kosovës meritojnë të nderohen edhe përmes ngritjës së memorialit në dedikim të tyre.

Ky është obligim moral i shoqërisë sonë përballë tyre.