Memorandum Bashkëpunimi me bizneset në Veri

OEK ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Qendrën e Iniciativës për Punëdhënës në Mitrovicën Veriore. Safet Gërxhaliu tha se memorandumi hap derën për bizneset në Veri. Katarina Axhancic tha se detyrë e përbashkët duhet të jetë fuqizimi i ekonomisë vendore.

Lajme

15/03/2014 18:23

Oda Ekonomike e Kosovës ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Qendrën e Iniciativës për Punëdhënës në Mitrovicën Veriore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se për zgjidhjen e krizave duhet së pari marrëveshje politike pastaj ekonomike.

“Për të zgjedhur një krizë së pari nevojitet një marrëveshje politike por menjëherë pas marrëveshjeve politike pasojnë ato ekonomike”.

“Kjo është mënyra e vetme për të siguruar qëndrueshmërinë për një afat të gjatë, sepse politika krijon parakushte për stabilitet ndërsa ekonomia e tregut dhe partneriteti i ngritur në baza të shëndosha inkurajon njerëzit që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bashkëpunojnë në interes reciprok”.

Gërxhaliu tha se nëpërmjet këtij Memorandumi po hapen dyert edhe për sipërmarrësit në veri. Ai ftoi që e shkuara të lihet prapa dhe “le të mirremi me biznes si i ka hije Europës”.

“Pas nënshkrimit të këtij memorandumi unë mund të them vetëm se sipërmarrësve nga veriu u dëshirojmë mirëseardhje në komunitetit tonë dhe shpresojmë që bizneset tona do të jenë të mirëpritura atje”.

“Komuniteti i bizneseve të Kosovës përmes këtij momerandumi e hap derën për bizneset në veri dhe e përçon sinjalin drejt veriut për gadishmërinë për vendosjen e marrëdhënieve të shëndosha të partneritetit në fushën ekonomike”.

“Le ta lëmë të kaluarën prapa, le të merremi me biznes si i ka hije Europës për të mirën tonë dhe të qytetarëve tanë”.

Ndërkaq, kryetarja e Qendrës për Iniciativë të Punëdhënësve, Katarina Axhacic tha se me nënshkrimin e këtij Memorandumi do të krijohen kushte më të favorshme ëpr krijimin e bizneseve.

Ajo tha se detyra e përbashkët është që të bëhet forcimi i ekonomisë vendore.

“Me nënshkrimin e sotëm të këtij memorandumi të bashkëpunimit në mes të Qendrës të iniciativës së punëdhënësve deh OEK’ut do të krijojmë kushte më të favorshme për zhvillimin të një zinxhiri më të mirë për zhvillimin e bizneseve, i cili do ta mundësojë që të kemi qasje edhe në tregun ndërkombëtar si dhe krijimin e një klime më të favorshme për investimet e jashtme në mesin tonë.”

“Ne posedojmë të gjitha kushtet që të jemi një shoqëri e zhvilluar dhe moderne, por vetëm nëse kemi kushte më të volitshme për një zhvillim të tillë.

“Zhvillimi dhe forcimi i ekonomisë vendore duhet të jetë detyra jonë e përbashkët si dhe e gjeneratave të ardhshme”.

I pranishëm në nënshkrimin e këtij memorandumi ishte edhe Minitri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismali, i cili përgëzoi këtë iniciativë.

“Kjo që sot po shoh këtu po më befason shumë këndshëm”.

“Ju përgëzoj shumë për këtë iniciativë dhe njëherit ju inkurajojë që të mos ndaleni dhe që të ja u shpjegoni të gjithëve se kjo është e vetmja rrugë për një përparim të mirëfilltë, për një integrim të dyanshëm dhe padyshim që politika është ajo që i paraprinë dhe unë mund t;i quaj se këto janë edhe rezultatet e para të marrëveshjeve të arritura deri më tani”.

“Ju ftoj që takimin e ardhshëm ta keni në Mitrovicën e Veriut dhe ju kisha lutur të më ftoni edhe atje”.