Mbështetje Austriake për Integrim

Ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Sebastian Kurz ka thënë se Austria e mbështet integrimin e Kosovës në BE, dhe shumë shpejt do ta nënshkruaj edhe MSA’në. Premton rritje të ushtarëve të kontingjentit austriak në KFOR.

Lajme

27/02/2014 13:23

Kosova do të vazhdojë ta ketë përkrahjen e Austrisë në fushën e integrimit europian, në fushën e sundimit të ligjit dhe atë të zhvillimit ekonomik. Kështu është zotuar sot ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë,  Sebastian Kurz gjatë një takimi me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj.

Ministri Kurz ka porositur institucionet kosovare që lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është karta kryqore e Kosovës, për zhvillimin ekonomik dhe integrim ne Bashkimin Evropian.

“Natyrisht që ne mbështesim integrimin e Kosovës në BE dhe do të ndihmojmë Kosova sa më shpejtë të bëjë nënshkrimin e MSA, nëse është e mundur dhe atë brenda Presidencës së Greqisë”.

“Por në anën tjetër edhe ju  sa më shumë që të luftohet korrupsionit  aq më e lehtë do të jetë për ju që këtu të vine investitorët austriak dhe mbështetja e rritjes ekonomike është rruga e vetme për ta zbutur shkallën e papunësisë”, tha ai.

Shefi i diplomacie austriake, Kurz u shpreh se vendi i tij mbështet Kosovën edhe me 1.9 milionë euro në fushën  reformave të sundimit të ligjit. Ai ka premtuar gjithashtu vazhdimin e rritjen e numrit të ushtareve të kontingjentit  austriak në KFOR.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se pret zgjerim të partneritetit bilateral, dhe marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me arsimin e kulturën, dhe mënyrën se si të ketë më shumë investime nga Austria drejt Kosovës.

“Austria për neve është një partner i fuqishëm Europian. Ne e shohim Austrinë si shtet udhëheqës për ta integruar Kosovën dhe Ballkanin në integrim evropian. Për ne është shumë me rëndësi që Republika e Kosovës dhe e Serbisë të kenë relacione normale me njëra tjetrën”.

Ministri Hoxhaj, gjithashtu, ka përmendur  5 hapa, sipas tij, kryesore se si e shohim relacionin e Kosovës me Serbinë në një të ardhme afat-shkurtër dhe afat-mesme.

“Hapi i parë duhet të jetë, Serbia duhet t’i implementojë të gjitha marrëveshjet të cilat ne i kemi arritur deri tash. Hapi i dytë, Serbia duhet t’i shpërbëjë të gjitha strukturat ilegale të sigurisë të policisë në veri të vendit. Së treti duhet të ketë integrim të plotë të komunitetit serb që jeton në veri të Kosovës. Elementi i katërt është, Serbia duhet ta pranojë sovranitetin e Kosovës dhe duhet t’ia lejojë asaj të anëtarësohet në të gjitha organizatat rajonale evropiane duke përfshirë edhe anëtarësimin në OKB. Hapi i fundit është, vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe njohja reciproke”, tha Hoxhaj.