Maqedoninë apo Shqipërinë: “Besoj se do zgjidhja Kosovën”

Karriera e Taulant Seferi ndryshoi 360 gradë në merkaton e janarit. Mesfushori kaloi në formë huazimi nga Young Boys, te skuadra e Wohlen. Një kategori më poshtë, por i rëndësishëm është fakti se 21-vjeçari po merr minuta. Ai vuajti nga dëmtimet e njëpasnjëshme te skuadra zvicerane e Young Boys. Lojtari ishte i pafat, pasi sapo kthehej në formë, dëmtohej sërish.

Sport

12/03/2018 17:45

Eduasportin.com bisedoi me Seferin para ardhjes së tij në Shqipëri për grumbullimin me Shpresat U-21. Ai është i grumbulluar në listën e trajnerit Alban Bushi, pasi ka filluar të marrë minuta dhe te skuadra e Wohlen në Ligën e dytë zvicerane.

– Si po shkon aventura te skuadra e Wohlenit?
– Aventura e re po shkon shumë mirë. Kisha nevojë për një skuadër të tillë që më jep mundësinë të luajë në çdo ndeshje. Minutat më duhen për t’u kthyer në formën time më të mirë.

– Largimi nga Young Boys, a ishte zgjedhje e duhur?
– Mendoj se ishte zgjedhja e duhur, pasi te Young Boys përjetova një eksperiencë të vështirë. Pata shumë dëmtime dhe nuk kisha hapësira për të luajtur. Duhej të largohesha që të fitoja minuta të rëndësishme.

– E kërkuar vetë largimin?
– E kërkova vetë me menaxherin tim, pasi doja të luaja. I shpjegova klubit se kam nevojë për minuta dhe ata e pranuan mendimin tim. E kisha menduar prej kohësh se ishte momenti për të kërkuar diçka të re për veten.

– Do të riktheheni te Young Boys sërish?
– Po, e sigurt. Do të rikthehem gjatë verës te skuadra që ka në pronësi kartonin tim.

– A i keni kaluar krejtësisht dëmtimet?
– Për fat të mirë nuk kam parur probleme me dëmtime dhe shqetësime të tjera. Tani po punoj fort të rikthehem në formën time më të mirë.

– A morët ftesë nga Shpresat?
– Po, trajneri Bushi më ka ftuar. Do të jem në Shqipëri, pasi kemi dy ndeshje kundër Sllovakisë.

– Çfarë synoni me kombëtaret?
– Dua të jap më të mirën time për trajnerin Bushi. Jam 21-vjeç dhe pak muaj më kanë mbetur të luajë me Shpresat U-21. Shpresoj të bëj mirë me këtë ekip.

– Keni luajtur me Maqedoninë, tani me Shqipërinë, nëse do të zgjidhnit tani për Kombëtaret, kë do të zgjidhnit?
– Besoj se do të zgjidhja Kosovën. /EDS/