Luksemburgu do të legalizojë rritjen dhe përdorimin e kanabisit në shtëpi

Qeveria e Luksemburgut ka njoftuar ndryshime në ligjin për kanabisin, me plane për të legalizuar rritjen dhe përdorimin e drogës në shtëpi.

Bota

24/10/2021 17:35

Si pjesë e një pakete masash për trajtimin e krimit të drogës në vendin me 632 mijë banorë, të rriturit do të jenë në gjendje të rrisin deri në katër bimë kanabisi për familje për përdorim personal, shkruan Euronews.

Qeveria do të lejojë gjithashtu shitjen e farave të kanabisit në dyqane, së bashku me importimin e tyre nga jashtë ose të blera online.

Do të shikojë gjithashtu lejimin e prodhimit vendas të farave për qëllime komerciale.

Konsumimi dhe kultivimi do të lejohen vetëm “brenda katër mureve”, edhe pse transportimi ose konsumimi deri në tre gramë nuk do të konsiderohet më vepër penale, por përkundrazi klasifikohet si kundërvajtje.

Udhëheqësit e të Gjelbërve – një nga tre partnerët e koalicionit në qeveri së bashku me Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste të Punëtorëve – thanë se masa “përfaqëson një riorientim themelor të politikës së drogës të Luksemburgut”, pasi qeveria synon të trajtojë çështjen e drogës me një qasje më “holistike”.

“Lufta kundër kanabisit ka dështuar,” tha partia në një deklaratë të premten.

“Njoftimet e ministrit të Drejtësisë, Sam Tanson, paraqesin një riorientim themelor të politikës së drogës në Luksemburg. Më në fund po rregullohet përdorimi i kanabisit dhe po krijohet një alternativë ligjore ndaj tregut të zi”.